KRYEFAQJA » LAJME » Kamenos: Do largohem në rast se marrëveshja Athinë-Shkup nuk miratohet me referendum në Greqi

Kamenos: Do largohem në rast se marrëveshja Athinë-Shkup nuk miratohet me referendum në Greqi

Ministri grek i Mbrojtjes dhe aleati kryesor në Qeveri i Kryeministrit Tsipras, Panos Kamenos kërcënon me zgjedhje të parakohshme në lidhje me marrëveshjen për emrin e Maqedonisë. Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp nga zyrat e partisë së tij, Kammenos, kryetar i partisë Grekët e Pavarur tha se nuk duhet të përjashtohet populli grek nga kjo vendimmarrje. Dhe për këtë ka dy mënyra, tha Kamenos. Ato janë me zgjedhje ose me referendum. Kamenos thotë se marrëveshja me Maqedoninë për emrin nuk ka asnjë vlerë nëse nuk ratifikohet nga Parlamenti grek. Në këtë pikë, ministri grek i Mbrojtjes theksoi se kjo marrëveshje duhet votuar nga të gjithë 140 deputetët. Në të kundërt, do të duhet të pyetet populli, duke shkuar në zgjedhje të parakohshme ose nëpërmjet referendumit. Panos Kamenos sjell në vëmendje edhe mosdekretimin e marrëveshjes nga Presidenti i Maqedonisë, i cili refuzoi ta firmoste. Grekët e Pavarur dhe Aleksis Tsipras ndodhen bashkë në qeveri që nga janari 2015 dhe morën një mandat të dytë në zgjedhjet e parakohshme në shtator të atij viti. Edhe pse kurrë nuk i kanë fshehur mosmarrëveshjet e tyre ideologjike, sidomos në ato që quhen si çështje kombëtare, bashkëpunimi i të dy palëve ka qenë mjaft i mirë. Por turbulencat nisën të shfaqen që kur filluan negociatat me Shkupin dhe avioni qeveritar tashmë rrezikon të rrëzohet për shkak të “pilotit të dytë”.

Sicred