KRYEFAQJA » LAJME » Junker: Nuk kemi datë konkrete! Rama: E meritojmë rekomandimin e plotë dhe të pastër!
Junker në Tiranë : Ne do të jemi për krah Shqipërisë për ta ndihmuar që të përgatisë anëtarësimin"

Junker: Nuk kemi datë konkrete! Rama: E meritojmë rekomandimin e plotë dhe të pastër!

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker ka deklaruar të dielën në Tiranë se është impresionuar nga reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, por nuk ka ardhur në Shqipëri me një datë konkrete për fillimin e bisedimeve me BE. “Nuk kam ardhur në Tiranë për një datë, por të inkurajojë Shqipërinë të vazhdojë me reformat. Ne do të jemi për krah Shqipërisë për ta ndihmuar që të përgatisë anëtarësimin” tha zoti Junker pas takimit në selinë e qeverisë me kryeministrin Edi Rama. “Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria veçanërisht, janë vende miq, aleatë dhe partnerë. Ne na ka ndarë historia për një kohë të gjatë dhe tani nuk duhet humbur kaq shumë kohë. Tani bëhet fjalë për ta rishkruar historinë. Shqipëria ka ndërmarrë shumë reforma në shumë fusha, të cilat janë impresionuese. Nëse do të vazhdohet me këto reforma, kjo do t’i lejojë KE të rekomandojë negociatat” tha zoti Junker.

Ashtu si dendur kohët e fundit kryeministri socialist Edi Rama tha se Shqipëria e meriton votën pro çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. “Integrimi në Bashkimin Europian është një përpjekje për të ndërtuar Shqipërinë Europianë këtu në vendin tonë. Dua ta përsëris se besoj fort se e meritojmë rekomandimin e plotë dhe të pastër dhe besoj se vendet anëtare do t’i përgjigjen pozitivisht votimit për hapjen e negociatave, pasi i kemi bërë me përpikëri detyrat e shtëpisë” tha kryeministri shqiptar pasi bëri një përmbledhje të përpjekjeve intensive të qeverisë për të ndërmarrë reformat  e kërkuara me ngulm nga Brukseli.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker ka bërë ndërkohë thirrje që problemet mes Shqipërisë dhe Greqisë të zgjidhen para anëtarësimit në BE.  “Problemet mes Shqipërisë dhe Greqisë duhen zgjidhen sa më shpejt. Kemi një dritare mundësish të hapura, duhet përdorur nga të dyja palët. Vendet e rajonit që kanë konflikte territoriale do të përpiqen t’i kalojnë dhe këto nuk mund të bëhen pas anëtarësimit, por para. Inkurajoj si Shqipërinë dhe Greqinë, ky është një element plus për të pranuar hapjen e negociatave. BE, nuk u përket vetëm atyre që janë anëtarë, por se çdo vend të plotësojë kushtet e anëtarësimit. Kur Shqipëria t’i ketë plotësuar të gjitha anëtarësimi do të jetë diçka e kryer” tha zoti Juncker. Thirrja e tij vjen në prag të nisjes së bisedimeve përfundimtare mes dy vendeve për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre.

Sicred