KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Junker: Europa është më mirë se para 10 viteve

Junker: Europa është më mirë se para 10 viteve

Bashkimi Europian është në gjendjen më të mirë ekonomike të dekadës së fundit, dhe mundësitë e momentit duhet të shfrytëzohen. Në fjalimin vjetor mbajtur para deputetëve të Parliamentit Europian, kreu i organit ekzekutiv të BE-së, Zhan Klod Junker, u shpreh se ekonomia europiane po forcohet pas një dekade të veshtirë, ku vendet anëtarë u prekën nga kriza ekonomike dhe blloku u trondit nga vota britanike për largim. “Erërat po fryjnë sërish në favor të Europës”, theksoi ai, ndërsa bëri thirrje për ndërmarrjen e reformave të reja. Duke iu adresuar Britanisë së Madhe mbi vendimin e saj për t’u larguar nga blloku në 29 mars të 2019-ës, Presidenti i Komisionit Europian tha se BE-së do t’i vijë gjithmonë keq për këtë, por shprehu sigurinë se edhe Britania do të pendohet shumë shpejt për këtë vendim. “Ne do të ecim përparë sepse Breksit nuk është gjithcka. Nuk është e ardhmja e Europës”, theksoi ai, ndërsa u kërkoi 27 vendeve anëtare zhvillimin e një samiti në Rumani në datën 30 mars të 2019ës, pra një ditë pas daljes zyrtare të Britanisë. Qëllimi i këtij samiti, sipas tij do të jetë marrja e vendimeve për një Europë më të fortë, më të bashkuar dhe më demokratike. Sa i takon fuqizimit të programit europian të tregtisë, kreu i ekzekutivit të BE-së u shpreh se Europa ka qenë gjithnjë një partner tërheqës për tregti, dhe se vende nga e gjithë bota po trokasin tani në derën e saj. Ai citoi marrëveshjen e tregtisë së Lirë me Kanadanë, ndërsa i bëri thirrje bllokut të përfundojë bisedimet e nisura me Japoninë dhe Meksikën deri në vitin 2019. Sipas tij, duhet të fillojnë edhe bisedimet për tregtinë e lirë me Australinë dhe Zelandën e Re. Junker mbështeti edhe krijimin e postit të ministrit të financës së eurozonës si dhe atë të fondit monetar europian. Sa i takon Turqisë, presidenti i KE-së përjashtoi mundësine e anëtarësimit të afërt të këtij vendi në familjen Europiane.

Sicred