KRYEFAQJA » LAJME » Josa, “Lamtumirë Tiron!”
Josa, "Lamtumirë Tiron!"

Josa, “Lamtumirë Tiron!”

Mirel Josa nuk është më trajner i Tiranës. Lajmi është konfirmuar të enjten nga klubi bardheblu. Josa ka patur edhe një vit kontratë me Tiranën, por duket se ai dhe drejtuesit e skuadrës kryeqytetase kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe kanë arritur një marrëveshje për mënyrën e largimit të trajnerit. Dorëheqja ka qenë termi i duhur në mënyrë që presidenti Refik Halili dhe klubi të mos jenë të detyruar t’i paguajnë edhe një vit pagën trajnerit.
Mirel Josa e mori Tiranën në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar dhe përfundimi ishte tepër i dhimshëm. 24 herë kampionët e Shqipërisë, për herë të parë në historinë gati një shekullore të klubit të tyre, zbresin në kategorinë e parë. Megjithatë, të enjten në orën 17.30 sipas njoftimit, Tirana ka nisur zyrtarisht stërvitjen, në përgatitje për pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Në “Selman Stërmasi” nën drejtimin e trajnerit të portierëve, Egbo, 15 lojtarë kanë kryer seancën e parë stërvitore duke nisur me ushtrime të lehta. Deri në një lajmërim të ri, Egbo do të vazhdojë të jetë në drejtim të skuadrës. Seancën stërvitore të së enjtes, e ka ndjekur edhe drejtori sportiv i Tiranës, Devi Muka, i cili nuk ka dashur të prononcohet për mediat. Sipas burimeve të klubit kryeqytetas, deri tani kanë konfirmuar largimin nga skuadra, tre lojtarë, Lika, Taku dhe Teqja. Në ditë në vijim do të shohim se çfarë do të ndryshojë te Tirana, duke filluar nga trajneri dhe lojtarët, pasi Liga e Evropës nis shumë shpejt.

Sicred