KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Jep dorëheqjen Steve Bannon
Jep dorëheqjen Steve Bannon

Jep dorëheqjen Steve Bannon

Ish strategu i Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon dha dorëheqjen si kreu ekzekutiv i Rrjetit të Lajmeve Breitbart. Dorëheqja vjen në klimën e krijuar pas komenteve të ashpra që thuhet se ai ka bërë në adresë të Presidentit Donald Trump dhe familjes së tij në librin e titulluar “Zjarr dhe furi” të autorit Michael Wolff që doli në qarkullim javën e kaluar. Wolff shkruante në libër se Bannon e quajti “akt tradhtie” dhe “jopatriotik” një takim të vitit 2016 mes të birit të presidentit, Donald Trump Xhunior, dhëndrrit të Presidentit, Xherd Kushner, dhe disa shtetasve rusë. Bannon parashikonte gjithashtu në libër se Robert Mueller, prokurori i posaçëm që heton rreth një bashkëpunimi të fshehtë mes fushatës së Trump dhe Rusisë, do ta “thyente” të birin e Trump “si një vezë në televizionin kombëtar”. Senati i SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve dhe një prokuror i posaçëm po hetojnë rreth çdo ndërhyrjeje të supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale, akuzë që mohohet si nga Kremlini ashtu edhe nga Trump. Presidenti dhe stafi i tij e kanë sulmuar ashpër Bannon, duke e quajtur atë të pabesë. Presidenti tha javën e shkuar se Bannon “humbi logjikën” pasi u hoq nga Shtëpia e Bardhë në gusht. Bannon iu bashkua rrjetit Breitbart në vitin 2012 dhe ndihmoi në rritjen e ndikimit të këtij rrjeti, të cilin ai dikur e pat quajtur platformë e së djathtës alternative, një bashkim i lirë i neonazistëve, supremacistëve të bardhë dhe antisemitëve.

 

 

Sicred