KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Jemeni po përballet me urinë

Jemeni po përballet me urinë

Jemeni do të përballet me situatën më të rëndë të urisë në botë gjatë dekadave të fundit, nëse nuk rifillon dërgimi i ndihmave humanitare në atë vend. Nën sekretari i përgjithshëm i OKB-së i ka kërkuar koalicionit të drejtuar nga Arabia Saudite që të mundësojë heqjen e bllokadave për lejimin e shpërndarjes së ndihmave humanitare në vendin e goditur nga lufta.
Të hënën që lamë pas, ky koalicion mbylli rrugët ajrore, tokësore dhe detare që të çojnë në Jemen pasi rebelët Huthi lëshuan një raketë balistike ndaj Riadit. Arabia Saudite ka argumentuar se bllokadat ishin të nevojshme që të mos lejohet Irani t’i dërgonte armë rebelëve. Irani mohon se furnizon me armë rebelët, të cilët kanë luftuar kundër koaliconit të drejtuar nga sauditët që në vitin 2015.
Në fillim të kësaj jave, OKB dhe kryqi i kuq paralajmëruan se situata katastrofike kërcënon jetët e milionave banorëve të Jemenit të cilët mbajnë frymën gjallë falë ndihmave që dërgohen nga ndërkombëtarët. Kryqi i Kuq bëri të ditur se ishte bllokuar një dërgesë me tableta klorinë, që përdoren për të luftuar epideminë e kolerës e cila ka prekur më shumë se 900 mijë persona në atë vend. OKB tha se shtatë milionë jemenas janë në prag të urisë. Ndërkohë, më shumë se 8 670 persona, 60 përqind e tyre civilë, janë vrarë dhe 49960 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore dhe luftimeve në terren që kur koalicioni ndërhyri në atë vend në mars të 2015-ës.

Sicred