KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Japoni, dështon furnizimi në ajër, përplasen dy avionë amerikanë

Japoni, dështon furnizimi në ajër, përplasen dy avionë amerikanë

Një operacion i madh shpëtimi po zhvillohet pak milje larg brigjeve japoneze, pasi 5 marinarë amerikanë rezultojnë të zhdukur si pasojë e përplasjes së dy avionëve ushtarakë amerikanë, gjatë një operacioni furnizimi me karburant në ajër. Lajmi njoftohet nga ministri japonez i Mbrojtjes, i cili tha gjithashtu se një pjesëtar i ekuipazhit ishte shpëtuar tashmë dhe besohet të jetë në gjendje të qëndrueshme. Një zëdhënës i ushtrisë japoneze (e ashtuquajtur Forcë Vetëmbrojtëse) tha më tej se një tjetër pjestar i ekuipazhit ishte gjetur, por nuk ka dhënë ende asnjë detaj mbi gjendjen e tij shëndetësore. “Avionët e ushtrisë amerikane dhe asaj japoneze po kërkojnë ende për të zhdukurit. Shpresoj që të gjithë pjesëtarët do të shpëtohen sa më shpejt”, shtoi ministri. Marinsat po zhvillonin “stërvitje të programuar rregullisht” kur ndodhi përplasja e papritur rreth orës 2 pas mesnate me orën lokale. Avioni luftarak “FA-18” me dy pjesëtarë në bord dhe furnizuesi “KC-130” me 5 pjesëtarë ekuipazhi, u përplasën mbi sipërfaqe ujore rreth 55 milje detare nga kepi i Murotos, në jugperëndim të Japonisë. I shpëtuari i deritanishëm ishte në avionin luftarak, konfirmoi ministri japonez. Forca vetëmbrojtëse e Japonisë ka dërguar 9 avionë dhe 3 anije për misionin e kërkimit. Ndërkohë, një zëdhënës i Rojes Bregdetare japoneze tha se, nga ana e tyre kanë dërguar 9 anije dhe një avion, për të asistuar në përpjekjet për shpëtim.

Sicred