KRYEFAQJA » LAJME » Itali, sot raundi i fundit për formimin e qeverisë

Itali, sot raundi i fundit për formimin e qeverisë

Nis sot në Itali raundi i tretë dhe i fundit i konsultimeve të presidentit të vendit për formimin e qeverisë së re italiane. Në rast se dhe kësaj here nuk arrihet një marrëveshje qeverisëse, zgjidhja e vetme mbetet rikthimi në zgjedhje të reja. Brenda ditës së sotme kreu i shtetit do të takohet me përfaqësuesit e forcave kryesore politike për të gjetur formulën më të mirë të mundshme në zgjidhjen e ngërcit të ekzekutivit të ri. Kreu i Partisë “Lidhja” mbërrin në këtë takim me një propozim të qartë. “Jo një qeveri teknike, ka deklaruar lideri i saj Matteo Salvini , por një qeveri politike tranzicioni në koalicion me Lëvizjen 5 Yje, me afat deri në dhjetor të 2018 dhe me objektiv zgjidhjen e problemeve më emergjente të vendit.” Pak orë para takimit me Presidentin Mattarella, lideri i 5 Yjeve, Luigi Di Maio i është përgjigjur pozitivisht këtij propozimi, por me kusht që kryeministri i kësaj qeverie tranziconi mos të jetë as Salvini, as Di Maio, por një  person i tretë i zgjedhur me konsensus mes tyre. Sipas 5 Yjeve programi i kësaj qeverie tranzicioni duhet të ketë si objektiv eleminimin e ligjit të pensionit, një ligj të ri antikorrupsion e miratimin e një ligj që parashikon një standard të ardhurash që garanon jetën dinjitoze të çdo qytetari italian. Gjithashtu për 5 Yjet, një kusht i rëndësishëm i arritjes së këtij pakti politik qeverisës, është mënjanimi i figurës së ish kryeminstrit Berlusconi nga drejtimi teknik i kësaj qeverie. Edhe pse duket se më në fund mes Partisë Lidhja e Lëvizjes 5 Yje është gjetur gjuha e përbashkët, koalicioni i qëndrës së djathtë, vazhdon të turbullojë ujërat duke e komentuar si të papranushëm formimin e një qeverie tranzicioni e me kërkesën se përgjegjësia për krijimin e qeverisë së ardhshme i takon vetëm këtij formacioni politik, i cili në zgjedhjet e 4 marsit u konfirmua fitues me rreth 37 përqind të votave. Qeveri tranzicioni apo zgjedhje të reja? Përgjigja pritet të vijë nga Presidenti Sergio Mattarella në përfundim të kësaj dite.

Sicred