KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Itali, në përpjekje për formimin e një qeverie

Itali, në përpjekje për formimin e një qeverie

Italia është zhytur përsëri në krizë. Disa javë negociatash mes grupeve politike jo-tradicionale nuk arritën të nxjerrin një qeveri të re koalicioni. Kriza politike po rrezikon të dëmtojë përpjekjet për rindërtimin e bankave të vendit, duke minuar vlerën e kapitaleve të tyre, dhe duke rindezur frikën e daljes nga Eurozona. Këto dyshime kanë tronditur tregjet e bonove të thesarit të Italisë. Italia u detyrua të ngrejë interesat për bonot 10 vjeçare në nivelin më të lartë në katër vjetët e fundit, për t’i bërë ato tërheqëse për investitorët. Tregu i bonove u trondit nga kriza politike. Shqetësimet rreth planeve të shpenzimeve të qeverisë së re janë pasuar me shpejtësi nga frika e largimit të Italisë nga Eurozona. Italia shiti 5.57 miliardë euro në bono thesari, duke mos arritur për pak kufirin maksimal të 6.0 miliardë eurove. Kërkesa ishte më e fortë për bonot pesëvjeçare krahasuar me bonot më të rrezikshme 10-vjeçare. Kjo vjen pasi tregjet e letrave me vlerë të Italisë patën të martën ditën e tyre më të keqe në 26 vjet. Investitorët po spekulojnë përsëri për atë që do të bëjë Banka Qëndrore Evropiane për të zgjidhur problemin e rritjes së çmimit për blerjen e borxhit italian që po shkakton vështirësi për bankat italiane dhe po rigjallëron dyshimet rreth një shkëputje nga Eurozona. Pasojat do të jenë të mëdha në se përsëritja e zgjedhjeve, në ekonominë e tretë më të madhe të botës, bëhet një referendum de-facto për anëtarësinë e Italisë në Eurozonë dhe rolin e saj në Bashkimin Evropian. Ekonomia e Italisë është të paktën 10 herë më e madhe sesa ajo e Greqisë e cila pati nevojë për 250 miliardë euro nga Eurozona dhe fonde nga FMN-ja për t’i shpëtuar nga falimentimit. Në se Italia ka nevojë për një mbështetje të ngjashme, shifrat do të ishin alarmante.

Sicred