KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Itali, dështojnë përpjekjet për krijimin e qeverisë, Konte jep dorëheqjen
Itali, dështojnë përpjekjet për krijimin e qeverisë

Itali, dështojnë përpjekjet për krijimin e qeverisë, Konte jep dorëheqjen

Thellohet kriza politike në Itali. Xhuzepe Konte, i mandatuari për formimin e ekzekutivit të ri, mbrëmjen e së dielës, i ka dorëzuar dorëheqjen Presidentit, Sergio Matarella. Lajmin e dha Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës, Ugo Zampeti. Njoftimi erdhi në fund të takimit 1 orësh midis Presidentit italian dhe kryeministrit të mandatuar. Presidenti Matarella nuk ka rënë dakord me të mandatuarin për kryeministër Conte lidhur me emrin e përzgjedhur për të qenë ministër i Financave, Paolo Savona. Mësohet se Matarella ka refuzuar të dekretojë emrin e Savona-s, për shkak të qëndrimeve të tij kundër eurozonës. “Kam pranuar të gjithë ministrat, përveç Savonës”, deklaroi presidenti italian Matarella, menjëherë pas dorëheqjes së Contes. “Vendimi për të mos pranuar kandidaturën e ministrit të Ekonomisë nuk ishte aspak i lehtë dhe tani nga disa forca politike me kërkohet që të shkojmë në zgjedhje. Do të marr vendimet e mia gjatë ditëve të ardhshme duke vlerësuar dhe zhvillimet që do të vijnë nga Dhoma e Deputeteve dhe Senati”, tha kreu i shtetit italian, Sergio Matarella, duke folur nga presidenca.
Ndërkohë Lëvizja 5 Yjet dhe Vëllezërit e Italisë reaguan duke deklaruar se po mendohet që të kërkohet dhe shkarkimi nga detyra i kreut të shtetit, i cili vendosi veton për Savonën. Por në lidhje me këtë kërcënim, presidenca italiane reagoi vetëm me një ‘no coment’. Ndërsa kreu i Lidhjes, Matteo Salvini, pas këtij zhvillimi ka njoftuar se vendi mund të shkojë në zgjedhje. Ky ngërç i ri vjen tre muaj pasi në Itali u mbajtën zgjedhjet parlamentare që nuk nxorrën asnjë forcë fituese dhe pas shumë muajsh negociatash të vështira për krijimin e qeverisë.

Sicred