KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ishulli i Sazanit në dispozicion të turistëve

Ishulli i Sazanit në dispozicion të turistëve

Ishulli i Sazanit, ishulli i vetëm i banuar i Shqipërisë, do të jetë gjatë verës një kënaqësi më shumë për turistët vendas dhe të huaj gjatë kësaj vere në Shqipëri. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes nënshkruan të mërkurën një marrëveshje bashkëpunimi për lejimin e turistëve për vizita turistike në këtë ishull dikur një pikë e rëndësishme e strategjike e mbrojtjes së Shqipërisë.
“Jemi në prag të fillimit të sezonit turistik veror dhe tour operatorët shqiptarë, agjencitë turistike kërkojnë të kenë më shumë produkte turistike për turistët dhe një kërkesë e vazhdueshme që kam bërë është aksesi që mund të kenë në ishullin e Sazanit. Fakti që ne lejojmë turistët të kalojnë në ishullin e Sazanit disa çaste turistike kur konsumojnë turizëm në vendin tonë, padyshim që është një lehtësim i madh për turizmin vendas” tha ministrja e ekonomisë Milva Ekonomi.
Nga ana e saj ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli tha se “Turizmi, përveçse është një pjesë shumë e rëndësishme të ardhurash për produktin mbarëkombëtar, sigurisht që duhet të reflektojë edhe një fytyrë që është fytyra e sigurisë që gjejnë turistët kur vijnë në vendin tonë”. “Shumë nga repartet ushtarake ndodhen në vende të spikatura të një bukurie të veçantë natyrore siç është bredeti shqiptar, ne duhet dhe mund të krijojmë mundësinë e vizitimit të këtyre zonave edhe nga turistët, e cila e bën sigurisht më atraktiv të gjithë qëndrimin e tyre” tha zonja Kodheli.
Turistët do të lejohet të kryejnë vizita turistike në ishullin e Sazanit, gjatë sezonit turistik veror në periudhën 1 maj 2017 deri më 31 tetor 2017. Marrëveshja mes ministrive përcakton orarin dhe zonat që mund të vizitohen në këtë ishull. Ishulli, i konsideruar si ushtarak, u çel për herë të parë pas 70 vitesh në vitin 2015, por vitin e kaluar u mbyll sërish për çështje sigurie.