KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Ish-kryetari i fushatës së Trampit del në gjyq

Ish-kryetari i fushatës së Trampit del në gjyq

Paul Manafort, ish-kryetari i fushatës së Presidentit Donald Trump, doli në gjyq në Aleksandria të Virxhinias, në një nga dy çështjet penale që u paraqitën kundër tij nga Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller. Ai bëhet i pari mes ish-këshilltarëve të Presidentit Tramp që del në gjyq, nën akuzat për mashtrime bankare dhe me taksat nga hetuesit federalë që po shqyrtojnë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Paul Manafort përballet me 18 akuza kriminale, duke përfshirë mashtrimin bankar, dhe mund të përballet me 30 vjet burgim nëse shpallet fajtor. Në nisje të procesit gjyqësor, prokurorët thanë se Manafort e vendosi veten “mbi ligjin” dhe kishte “gënjyer”. Ish-konsulenti politik, i cili drejtoi fushatën Tramp për tre muaj, është deklaruar jo fajtor. Prokurorët pritet të argumentojnë se jeta e tij e luksit nuk përputhet me atë që ai kishte deklaruar në deklaratat e tij tatimore. Asnjë nga akuzat që Manafort u përball në gjyqin e të martës nuk kanë të bëjnë me hetimin e marrëveshjes së mundshme të vitit 2016 mes Rusisë dhe fushatës së Tramp. Duke qenë se presidenti Tramp e ka quajtur hetimin e prokurorit të posaçëm, Mueller “një gjueti shtrigash”, vendimi që do të merret në rastin e Manafort, mund të përcaktojë besueshmërinë e hetimit.

Sicred