KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Irani paralajmëron SHBA
Irani paralajmëron SHBA

Irani paralajmëron SHBA

Kryediplomati i Iranit ka paralajmërur presidentin amerikan Donald Tramp se nëse ai zbaton kërcënimin e tij për të grisur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore, atij do t’i duhet të përballet me pasojat që nuk do të jenë të këndshme për SHBA-të. Duke folur të shtunën për gazetarët në Nju Jork, ministri i jashtëm i Iranit Muhamad Javad Zarif gjithashtu u kërkoi presidentit francez Emanuel Makron dhe kancelares gjermane Angela Merkel që të përpiqen të qetësojnë Presidentin Tramp. Ky i fundit do të vendosë në datën 12 maj nëse do të rivendosë sanksione ekonomike ndaj Iranit, dhe nëse një gjë e tillë ndodh, kjo do të ishte një goditje e madhe për paktin e vitit 2015. Sipas agjencisë së lajmeve Rojters, Trampi ka ushtruar presion ndaj aleatëve të tij europianë që të punojnë me Uashingtonin për rregullimin e marrëveshjes në fjalë. Makroni dhe Merkeli pritet ndërkohë të takohen me Trampin në Uashington gjatë javës së ardhshme. – Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo vetëm që kanë dështuar në zbatimin e pjesës së tyre të marrëveshjes, por po kërkojnë akoma më tepër, – tha Zarif, i cili ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në një takim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
-Mesazhi i rrezikshëm që po i dërgohet popullit të Iranit dhe botës është se nuk duhet të hysh në marrëveshje me Shtetet e Bashkuara sepse në fund të ditës, parimi mbi të cilin ato veprojnë është çfarë është e imja është e imja dhe çfarë është e jotja është e negociueshme, – tha Zarif, i cili gjithashtu theksoi se nëse Uashingtoni largohet nga marrëveshja, ekzistojnë shumë opsione që Teherani mund të marrë në konsideratë, përfshi edhe ankimimin përmes një mekanizmi të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që parashikohet në marrëveshje ose mund edhe të shkojë edhe më tej, duke dalë nga pakti dhe duke rifilluar aktivitetet e tij bërthamore.

Sicred