KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » BE rrit investimet në monumentet kulturore shqiptare

BE rrit investimet në monumentet kulturore shqiptare

Investimet e Bashkimit Europian në monumentet kulturore dhe zonat më të lashta arkeologjike të Shqipërisë kanë qënë një prej mbështetjeve më të mëdha që vetë Europa i bën jo vetëm historisë shqiptare, por edhe historisë së saj.
Një prej fragmenteve më të rëndësishme është edhe Parku Arkeologjik i Apolonisë. Drejtori i Përgjithshëm për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerimin pranë Komisionit Evropian, Christian Danielsson, i shoqëruar nga ministrja e kulturës Mirela Kumbaro panë nga afër këto projekte. “Jam krenar që jam pjesë e atij institucioni që ka marrë pjesë në restaurimin e vendit arkeologjik. Kur qëndron këtu e kupton që nuk je thjesht përpara një vendi arkeologjik sepse këtu kuptohet dhe lidhja e fortë e historisë dhe pasurisë që ekziston midis Europës dhe Shqipërisë” tha zoti Danielson. “Këtu kuptohet se sa e pasur është Shqipëria, veçanërisht për të rinjtë, që të kuptojnë pasurinë historike dhe kulturën e vendit të tyre. Duke qenë se jam pjesë e një institucioni që përfaqëson BE, kuptohet që Apolonia është e rëndësishme edhe për ne” tha ai.
Ministra e kulturës Mirela Kumbaro ka falenderuar përfaqësuesit e Bashkimit Europian për këto investime të rëndësishme për ruajtjen e monumenteve. “Jemi bashkë për të parë rezultatin e investimit të përbashkët prej 750 mije eurosh të bërë në Parkun e Apolonisë. Ky është një sinjal i rëndësishëm që BE i kushton rëndësi financimeve në fushën e kulturës që nuk janë fasada, por histori që tregojnë se si është ndërtuar shteti. Falenderoj zotin Danielson që e gjen vizitën dhe investimin kulturor po aq të rëndësishëm sa është edhe Reforma në Drejtesi” tha zonja Kumbaro.
Apolonia është qyteti antik në Shqipëri ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera, me të njëjtin emër, të kohës antike. Është themeluar rreth fillimit të shek të IV p.e.s. Gërmadhat e Apolonisë janë zbuluar në fillim të shek XIX.

Sicred