KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Inva Mula emocionon publikun në Tiranë

Inva Mula emocionon publikun në Tiranë

Katedralja e Shën Palit ka jehuar dje në mbrëmje nga vokali i sopranos shqiptare me famë botërore Inva Mula. Ishte një përshpirtje për artisten e madhe Nina Mula, në 85 vjetorin e lindjes së saj që mblodhi dashamirës të shumtë të muzikës dhe talentit jo vetëm të vajzës së saj Inva Mula, por edhe kontributit muzikor që familja Mula ka në historinë e muzikës shqiptare. Nga emocionet e “Ave Maria” të Shubert apo edhe versionin e Verdit, te “Casta Diva” dhe pjesë të tjera nga Moxart dhe Puccini, Inva Mula ka shpërfaqur gjithë potencën e saj vokale dhe interpretative. Së bashku me orkestrën dhe korin e teatrit të operas dhe baletit drejtuar nga dirigjentja Suzana Turku katedralja ka tingëlluar përshpirtje dhe emocion.

Në këtë rrugëtim përkujtues bashkëudhëtarët e Inva Mules ishin mbështetja e çmuar vokale e mezzosopranos Irida Dragoti dhe tenorit të talentuar Klodjan Kaçani. Që të tre, në kohë të ndryshme, kanë qënë nxënës që pasionin dhe ngulmimin për muzikën dhe kanton e kanë marrë nga Nina Mula. Një moment special i koncertit ishte edhe interpretimi i Genc Tukicit i pjesës “Papa Françesku” kompozuar enkas për koncertin e artistëve shqiptare në Vatikan. Ndërkaq mallëngjues ishte interpretimi i këngës “Moj vajzë me kaçurrela” një dedikim dashurie. krijuar shumë vite më parë nga Avni Mula, bashkëshorti i Nina Mulës.  Artistja që edukoi breza të tërë dhe artistë të suksesshëm kujtohet me një përshpirtje të veçantë përmes muzikës sepse mbi të gjitha ajo dashuronte artin.

Sicred