KRYEFAQJA » LAJME » INSTAT: Kriza politike pakëson vizitorët në maj

INSTAT: Kriza politike pakëson vizitorët në maj

Kriza politike që përfshiu Shqipërinë këtë pranverë duket se ka ndikuar në numrin e vizitorëve të huaj në vendin tonë. Sipas INSTAT, pavarësisht se numri i vizitorëve të huaj për muajin maj 2017 është mbi 360 mijë vetë, që do të thotë është rritur me 0,4% krahasuar me të njëjtin muaj një vit më parë, numri i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri për qëllime pushimi dhe vizita ditore në majin e këtij viti, kur kriza politike ishte në kulmin e saj, ka rënë me 7.8%. Nga 145.655 që ishte në maj të 2016 është bërë 134.364. Po në muajin maj 2017 është ulur edhe numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë për qëllime personale. Krahasuar me Majin e 2016-s, kjo kategori është ulur me 0,3%. Në Maj 2017 është 353.277 vetë. Kjo shifër përbën 98,1%,të numrit gjithsej të hyrjeve të shtetasve të huaj. Por nuk ka rënë numri i hyrjes së shtetasve të huaj nëse do llogarisim jo vetëm muajin maj, por pesëmujorin e parë 2017. Në këtë periudhë kemi mbi 1 milion e 300 mijë vizitorë, 9,5% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016. E të huajt që vijnë për biznes duket se nuk kanë dashur t’ia dinë për krizën politike. Krahasuar me një vit më parë, kjo kategori është rritur me 67,5% këtë muaj maj, gjë që përbën 1,9% të hyrjeve të shtetasve të huaj. Numri më i madh i hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë edhe në muajin që sapo shkoi rezulton të jetë nga Kosova me 29,3%, pasuar nga hyrjet e shtetasve të huaj nga Maqedonia me 13,6%,Mali i Zi me 10,1 %,Greqia me 8,8%,etj. Në muajin maj 2017 ka ulje dhe në daljet nga Shqipëria, qoftë të shtetasve shqiptare edhe atyre të huaj. Së bashku janë 789.052, duke shënuar një ulje me 2,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë në Maj 2017 është 407.096. Krahasuar me muajin Maj2016, ky numër është ulur 2,7 %. Ndërsa në pesëmujorin e parë të 2017-s kemi një rritje prej 3,8% të daljeve. Kanë dalë nga Shqipëria 1.882.335 shqiptarë, më shumë se gjysma e popullsisë. Ndërsa kemi 1 milion e 300 mijë vizitorë të huaj për pesëmujorin e parë 2017. Domethënë më shumë kanë dalë shqiptarë nga Shqipëria se sa kanë hyrë vizitorë në Shqipëri.

Sicred