KRYEFAQJA » LAJME » Inspektorati Shtetëror i Punës, çfarë është, me çfarë merret ?

Inspektorati Shtetëror i Punës, çfarë është, me çfarë merret ?

Çfarë është dhe me se merret Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH)?
Kjo është një pyetje që mund t’i lindë kujdo që ka interes të mësojë përshembull se përse në Shqipëri buxheti publik paguan më shumë se 80 miliardë lekë për financimin e fondit të pensioneve, rrjedhojë e prishjes së ekuilibrit të raportit kontribues-përfitues, apo pse një numër i konsiderueshëm subjektesh të biznesit të madh nuk figurojnë në listat e subjekteve të vetëdeklaruara.
Kjo dhe shumë të tjera kanë të bëjnë me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe të Shërbimeve Shoqërore. Po me çfarë merret kjo trupë inspektimi që paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptare dhe a i justifikon financat e saj?
Raporti i KLSH shpjegon shumë aspekte nga pyetja e mësipërme. I fortë me biznesin e vogël, i dobët me të mëdhenjtë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se janë inspektuar në intervale të shkurtra kohe sipërmarrje me 1-2 punonjës, duke lënë pa inspektuar subjekte prodhuese me një numër të madh punëmarrësish dhe me kërkesa specifike të sigurimit në punë. Janë inspektuar dhe riinspektuar subjekte publike që nuk kanë rezultuar problematike, por inspektimi i tyre i ka shërbyer statistikave të Inspektoriatit Qendror. Një numër i konsiderueshëm subjektesh të biznesit të madh nuk figurojnë në listat e subjekteve të vetëdeklaruara në Inspektoriat. Konstatohet se inspektorët nuk njohin situatën e subjekteve që zhvillojnë aktivitet në territorin e juridiksionit që mbulojnë. Mungesa e këtyre të dhënave ka bërë që drejtoritë rajonale të kryejnë inspektime në një numër të vogël subjektesh, publike apo private.
Inspektorati i Punës funksionon në 12 degë rajonale, ka 98 inspektorë dhe ka kryer mesatarisht 81 inspektime për inspektor në vit. Gjatë viti 2017 janë realizuar 7958 inspektime. Shqipëria shënon se numri i subjekteve aktive për këtë vit ka qenë 160 679. Ndërsa, sipas deklarimeve zyrtare, ky inspektorat mbulon me inspektime vetëm 5% të aktiviteteve ekonomike të deklaruara.
Kjo është gjysma e së keqes sa këtij inspektorati. Informaliteti në turizëm, në ndërtim, në miniera, në tregti e shërbime mbetet pjesa më pak e raportuar e Inspektoratit të Punës. Hidhini një sy raportit vjetor të 2017! Janë qesharake gjetjet dhe shkeljet e evidentuara të kësaj trupe inspektimi. Gjoba të vendosura, por të pambledhura, subjekte të ankimuar në gjykate dhe gjyqe të humbura në shumicën e tyre. Nga mbi 110 gjoba, vetëm 28 prej tyre janë arkëtuar në arkën e shtetit! Nga 35 milionë lekë gjoba, vetëm 2,8 milionë janë arkëtuar!
Por ka edhe arritje. Ato i ka evidentuar dhe Inspektorati Qendror që nënvizon se një vit më parë ky Inspektorat ka pajisur të gjithë inspektorët shtetërorë me paketa portable, sipas parimit një laptop për një grup inspektimi, si dhe ka ofruar edhe 580 USB për shërbimin e internetit.

Sicred