KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Imzot Vigano, njeriu që qëndron pas çdo fjale të Papës

Imzot Vigano, njeriu që qëndron pas çdo fjale të Papës

Teksa Papa Francesku nga Vatikani përcjell mesazhin e bashkimit të plotë gradual mes ortodokseve dhe katolikëve nëtakimin mes konfensioneve, Imzot Dario Vigano, prefekti i sekretarisë së Komunikimit të Selisë së Shenjtë ndodhet në Tiranë. Prelati i lartë që po bën evolucion në komunikimin e Vatikanit, dekorohet nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe përsërit akoma një herë mesazhet e Papës për shqiptarët.
“Është një vizitë që zgjat vizitën e Papës në Shqipëri. Ka qënë një udhëtim shumë i bukur kur Papa ishte këtu mes këtij populli të mrekullueshëm të cilit i ka lënë një porosi që “ ta lerë shqiponjën të fluturojë” domethënë të hapë horizontin akoma më tepër drejt ëndrrës dhe shpresës” thotë imzot Vigano në një intervistë me gazetaren e RTSH Mira Tuci. “Motivi i vizitës time këtu është sepse Presidenti i Republikës do të më dorëzojë mua dhe Dom David Gjugjës një vlerësim për aftësinë si Sekretari e Komunikimit dhe redaksisë në shqip të Radio Vatikanit ku evidentohet leximi i Kishës Shqiptare, i shoqërisë shqiptare dhe në komunikimin këtu në Shqipëri të mesazhit të Atit të Shenjtë” spjegon ai.

Duke i mëshuar jehonës së këtij udhëtimi të Papës në Shqipëri, ai ka vijuar të flasë mbi të gjitha për harmoninë fetare që ekziston këtu. Duke filluar nga ky vend i vogël për të përhapur më tej mesazhin. “Pikërisht ku ai erdhi në Shqipëri tha.. “një vend i vogël i jashtëzakonshëm” sepse këtu ka një njohje dhe vlerësim reciprok mes kulturash dhe traditash të besimeve të ndryshme. Dhe kjo ide është në zemrën e Papës, ideja se bashkimi nuk varet nga uniformiteti. Shumë shpesh Papa thotë : Imazhi ynë nuk është sfera, por polihedri që çdo faqe ka identitetin e saj, por tëresia bashkohet me të gjitha faqet e tjera. Pra ekziston ky aspekt i ngjyresave të ndryshme, të përvojave të ndryshme që dinë ta vlerësojnë njëri-tjetrin në mënyrë reciproke dhe është një nga elementët që i ka lënë shumë mbresa Atit të Shenjtë dhe është një temë në të cilën ai kthehet gjithnjë” kujton imzot Vigano.

Bashkimi, ekumenizmi po përforcohet nga një reformim tërësor i komunikimit dhe mënyrës si e sheh Selia e Shenjte, ndaj mos u habisni që komunikimin me Papën mund ta bëni edhe përmes rrjeteve sociale. “Është një proces reformimi i Kurias romane, pas konklavës që e zgjodhi si Pasardhës të papa Benediktit. Me shumë mundësi ai kishte në mendje dhe në kujtesë shumë diskutime të bëra nga sivëllezërit e tij kardinalë para Konklavës. Psh, për nevojën e një transparence ekonomike, reformës në ente financiare dhe administrative. Mendoj për reformimin e madh që po bën në inkorporimin e dikastereve dhe ndër to është edhe komunikimi. Është shumë interesante sepse ekziston gati një akt qeveritar që Papa e nis pikërisht me togëfjalëshin “kultura aktuale digjitale” dmth problemi është se bota ka ndryshuar dhe tashmë nuk mund të përmirësosh disa situata që nuk ekzistojnë më. Pra kultura digjitale kërkon pikërisht këtë, mos të zhvillohet më mire televizioni, radio, por të mendohet një system komunikues sipas ndërveprimit dhe konvergjencës” thotë Prelati i lartë.

Monsinjor Dario Vigano, i diplomuar për filozofi dhe shkenca komunikimi, është edhe një njohës shumë i mirë i kinemasë. Ndërsa thirret vazhdimisht si anëtar jurie në festivalet e Venecias dhe Kanës, momentalisht po punon me regjisorin e njohur gjerman Wim Wenders, i cili po realizon një film për Papa Franceskun.

Sicred