KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » IFC për pagesën në Rrugën e Kombit

IFC për pagesën në Rrugën e Kombit

Korporata Ndërkombëtare Financiare, IFC, pjesë e grupit të Bankës Botërore në një studim të posaçëm për rrugën e kombit i sugjeronte qeverisë demokrate që ta vendoste pagesën për këtë aks të rëndësishëm që bashkon Shqipërine me Kosovën. Në studimin e siguruar nga RTSH, IFC shkruan se pagesa duhet për mirëmbajtjen e rrugës por mbi të gjitha për përfundimin e saj, pasi rruga Durrës Kukës është ende e papërfunduar. Më konkretisht sipas IFC, në segmentin e parë Milot -Rrëshen, ka mbetur i parealizuar dublimi 25.6 km i rrugës. Në segmentin e dytë prej 61 km mungojnë masa gjeoteknike mbrojtëse skarpatash dhe eleminimi i ërreshqitjeve. Ndërsa në segmentin e tretë Kalimash – Morinë nuk janë përfunduar urat. Koorporata IFC llogariste se kosto totale e këtij aksi ka shkuar në 950 milione euro, ndërkohë që rruga quhet ende e pambaruar dhe për mirëmbajtjen e saj, IFC shprehet se nevojiten më shumë se dhjetë milionë euro çdo vit ndërkohë që pas përfundimit të veprës janë kryer vetëm mirëmbajtje rutinore në vlerën 5.3 milionë euro çdo vit. Objektivi i parë i këtij konçensioni sipas IFC është të sigurohet një mirëmbajtje efektive në të njëjtën linjë me standardet europiane. Pagesa e kalimit sipas IFC duhet të llogaritet në bazë të një formule që përfshin edhe këto, kostot e mirëmbajtjes. Aktualisht rruga ka një trafik nën kapacitet çka ndikon në dy elemente, rrit koston e mirëmbajtjes dhe ndikon drejtpërdrejtë në një tarifë më të lartë. Në total rruga Durrës Kukës, e pagëzuar me emrin Rruga e Kombit kushtoi mbi 950 milionë euro, por mesa duket mirëmbajtja dhe përfundimi i saj me të gjithë parametrat do ta shtojnë këtë faturë të kripur.

Sicred