KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Idriz Berisha vjen me ekspozitë personale në Muzeun Kombëtar

Idriz Berisha vjen me ekspozitë personale në Muzeun Kombëtar

Metaformë është ekspozita personale që piktori kosovar Idriz Berisha ka hapur në mjediset e Muzeut Kombëtar. 42 punime akrilik në letër dhe pëlhurë vijnë në dy cikle përmes të cilëve piktori Berisha, siç shprehen kritikët, të prezanton me identitetin e një populli me traditë por edhe me vullnetin e tij për jetën.

“Në të gjithë krijimtarinë time fshehen figura,figuracione me fragmente të shkëputura të cilat krijojnë një tërësi. Është forma plus metaforma e shpërndarë siç janë shqiptarët gjithandej të shpërndarë nëpër botë që në fund përbëjnë formën” tha piktori Berisha. Veprat e ekspozuara në muzeun kombëtar, janë krijime të periudhës të pas luftës në Kosovë, pasi gjatë luftës rreth 300 punime të piktorit u shkatërruan.

“Lufta mi gëlltiti pathuaj të gjithë punën që kisha bërë afro për 30 vite,më shkoi për një çast, u dogj e tëra. Kjo është pjesa më e dhimshme ë karrierës sime” tha më tej Berisha. Idriz Berisha u lind në Dobërdol të Klinës në vitin 1953. Shkollën e mesme të artit e kreu në Pejë, ndërsa Akademinë e Arteve në Prishtinë. Idriz Berisha është vlerësuar me çmime në disa konkurse të arteve pamore në Kosovë Shqipëri por edhe në vende të tjera si Zvicër. Pikturat e tij janë ekspozuar në shumë galeri kosovare, shqiptare, zviceriane si dhe gjermane. Kjo është ekspozita e parë personale e piktorit në Tiranë.