KRYEFAQJA » LAJME » Bota » I nxehtë ekstrem dhe zjarre në Europë

I nxehtë ekstrem dhe zjarre në Europë

Zjarret vazhdojnë shkatërrimin e pyjeve në Itali, që ka rënë pre e të nxehtit ekstrem dhe thatësirës, çka ka shkaktuar tre të vdekur ditët e fundit, ndërkohë që zjarrfikësit raportojnë për një rritje prej 76 për qind të ndërhyrjeve këtë verë. Vetëm të hënën, zjarrfikësit njoftuan se kanë kryer 1 090 ndërhyrje për zjarre në pyll, nga të cilat 300 në Siçili dhe 150 në Latum, rajoni i Romës. Në Tivoli, 30 kilometra në verilindje të kryeqytetit, një zjarr i shkaktuar nga një shkëndijë gjatë punimeve në një hekurudhë shkatërroi në pak minuta një shtëpi ku humbën jetën një grua 68-vjeçare dhe mamaja e saj 92-vjeçare. Në të njëjtën kohë, një burrë 84-vjeçar vdiq për shkak të djegieve të marra të dielën në rajonin e Napolit. Mes 15 korrikut dhe 5 gushtit, zjarrfikësit italianë kanë zhvilluar rreth 60 000 ndërhyrje për zjarre në pyll, 26 000 më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2016, sipas statistikave të publikuara nga shërbimet e tyre. Ndersa Greqia është përballur ne të tretën ditë radhazi me një valë tjetër të nxehti, me rritjen e vazhdueshme të temperaturave mbi 40 gradë Celsius, që kanë shënuar 30 gradë Celsius edhe gjatë natës. Vala e të nxehtit ka goditur veçanërisht, Greqinë Perëndimore dhe Veriperëndimore duke arritur kulmin e saj në 42 gradë Celsius. Meteorologët kanë parashikuar se vendi do të jetë nën ndikimin e temperaturave të larta deri të shtunën ndërkohë që  mjekët kanë paralajmëruar se temperaturat e larta sidomos gjatë natës, mund të jenë të rrezikshme për shëndetin.

Sicred