KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » I jepet lamtumira gjuhëtarit të shquar Kolec Topalli
I jepet lamtumira gjuhëtarit të shquar Kolec Topalli

I jepet lamtumira gjuhëtarit të shquar Kolec Topalli

Bota akademike i dha lamtumirën një prej studiuesve emblemë të shkencave gjuhësore shqiptare, Prof.dr. Kolec Topalli, i cili u nda nga jeta në moshën 80 vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, studiues i gjuhës në Institutin e Gjuhës e Letërsisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare, Topalli është vlerësuar së fundmi me çmimin e Akademisë së Shkencave për botimin e tij shkencor “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”.
“Akademia e Studimeve Albanologjike i shpreh ngushëllimet më të thella familjes, komunitetit akademik, miqve dhe kolegëve brenda dhe jashtë vendit. Akademik Kolec Topalli – një veprimtari e jashtëzakonshme në studimet mbi historinë e gjuhës shqipe”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave për mediat. Ndërsa Biblioteka kombëtare ka koleksionuar veprat e tij studimore dhe shkencore, duke vënë në dispozicion dhe një biografi të jetës e veprimtarisë së akademik Topallit.
Figura të njohura të botës akadamike, politikanë, ish studentë, përkrah miqsh e familjarësh i dhanë sot lamtumirën e fundit akademikut Kolec Topalli në homazhet e mbajtura në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave. Në nderim të albanologut të shquar, kanë qenë të pranishëm edhe kreu i kuvendit Gramoz Ruçi dhe ish lideri demokrat Sali Berisha, ndërsa presidenti Ilir Meta ka përcjellë përmes një mesazhi ngushëllimet për humbjen e gjuhëtarit të shquar.

Sicred