Nga 21 janari ka hyrë në fuqi disa ndryshime të rëndësishme në Kodin Rrugor të Shqipërisë. Sipas tyre rriten në një shkallë më të lartë ndëshkimet për shkelësit e këtij kodi. Me këtë rast ministri Edmond Haxhinasto u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të lexojnë me kujdes dispozitat e këtij kodi. “Sot fillojnë efektet e kodit rrugor. Dhe masat e kodit do të kenë impakt të drejtëpërdrejtë për rritjen e sigurisë në shërbimin e transportin publik dhe në transportet e tjera. Ju bëj thirrje drejtuesve të mjeteve të lexojnë me kujdes ato dispozita që janë miratuar në kod, sidomos ato që kanë të bëjnë me sigurinë” tha zoti Haxhinasto.
Ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor kanë synuar minimizimin e numrit të aksidenteve në Shqipëri. Sipas të dhënave në 20 vitet e fundit në Shqipëri kanë ndodhur 7000 mijë aksidente automobilistike. Çdo vit në këto aksidente humbin jetën rreth 260 persona. Shumë analistë i konsiderojnë shifrat si bilance lufte. Shkaqet kryesore të aksidenteve në Shqipëri janë shtimi i qarkullimit të automjeteve, tejkalimi i shpejtësisë dhe mosrespektimi i rregullave në rrugë si nga shoferët ashtu edhe nga këmbësorët, përdorimi i pijeve alkolike etj.
