KRYEFAQJA » LAJME » Humbja në zgjedhje dhe dorëheqja e Bashës, debatohen në PD
Opozita do të vazhdojë aksionin e saj jashtë parlamentit

Humbja në zgjedhje dhe dorëheqja e Bashës, debatohen në PD

Kërkesat e njëpasnjëshme të firmosur nga shumë figura të njohura të PD për dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të partise, si përgjegjës për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit të demokratëve, ka përfshirë këtë forcë politike në debate të forta. Palët duket se janë ndarë pro dhe kundër zoti Basha, por askush nuk është në gjendje të thotë se nga anon peshorja.
Sekretari për aksionin qytetar Ervin Salianji, tashmë i zgjedhur deputet, gjykon se zoti Basha i është permbajtur statutit te Partise Demokratike, që sipas tij nuk përcakton detyrimisht dorëheqjen. Ai thotë për RTSH-në, se kjo është një vepër e orkestruar nga të njëjtët njerëz që kanë kundështuar qeverinë Berisha, si edhe garën Basha-Olldashi në 2013-tën. Shumë shpejt, thekson Salianji, ky grup do të përfaqësohet me kandidatin e saj në garë, duke nënkuptuar Astrit Patozin. “Është dhe kandidati tretë gati, që para zgjedhjeve i grupimit tjetër në PD, të cilët edhe në 2013 kanë bërë të njëjtën gjë, të humbin zgjedhjet për të marrë partinë” ironizon Salianji.
Por një prej firmëtarëve Leonard Olli, kreu i këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Tiranës thekson se nuk është pjesë e asnjë klani brenda PD-së. Ai kërkon vetëm respektimin e statutit të PD-së, që në asnje rresht nuk sanksionon “ngrirjen” e të drejtave ekzekutive të Kryetarit, sikundër apelon për garancitë për një garë të ndershme. “Kjo e ndihmon shumë partinë për të dalë nga momentet e uni-t. Jemi në një moment të frikshëm të kultit të individit në vitin 2017. Plot 27 vite pasi ne e kemi dërmuar komunizmin, de fakto ai është kthyer” thotë zoti Olli për RTSH.
Sipas zoti Ollit, kryetari Basha duhet të marrë përgjegjësinë që i takon për këtë humbje të thellë, dhe të mos përpiqet të fshihet pas gishtit, duke ia faturuar humbjen atyre që sikundër u shpreh Basha nuk punuan në zgjedhje për shkak të qefmbetjeve personale.
Por për zotin Salianji, humbja ka ardhur për shkak të blerjes masive të votës. Ndërsa “ish funskionarët dhe deputetët që nuk u përfshinë në lista sipas tij, nuk kanë më asnjë peshë në elektorat”. “Ne na kanë kërkuar
llogari kudo, pavarësisht se unë kam qenë kandidat për herë të parë, na kanë kërkuar llogari për qeverisjen e tetë viteve” tha zoti Salianji. Por kryekëshillatri Olli pyet: “Kush mban përgjegjësi për rezultatin? Shpërndarja e përgjegjësisë më kujton kohët e frikshme të përgjegjësisë kolektive, rikthim i frikëshëm i koncepteve totalitare” thotë ai.
Debatet pritet të forcohen akoma më shumë, me të nisur dhe zyrtarisht gara e kandidatëve. Zoti Basha dhe zoti Selami, janë deri tani kandidaturat e vetme, ndërkohë që priten edhe emra të tjerë të bëhen pjesë e garës, siç mund të jetë presidenti në detyrë Bujar Nishani, ish deputeti dhe ish nënkryetari i PD Astrit Patozi, por edhe të tjerë.

Sicred