KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Përcillet për në banesën e fundit kantautori Françesk Radi

Përcillet për në banesën e fundit kantautori Françesk Radi

Miq, të afërm dhe kolegë, kanë përcjellë mesditën e kësaj të marte për në banesën e fundit kantautorin Françesk Radi. Në nder të artistit, Radio Tirana hapi dyert për organizimin e homazheve. Françesk Radi nuk ishte vetëm kantautor dhe pjesëmarrës i sa e sa Festivaleve të Këngës, por për shume vite ai punoi në Redaksinë e Krijimtarisë Muzikore pranë këtij institucioni. Është redaktori muzikor dhe kompozitori Sokol Marsi që kujton në këtë moment edhe bashkëpunimin e tij të fundit si kolegë të asaj redaksie. “Bashkëpunimi im i fundit me Françeskun ka qenë jo më parë se përpara një viti, në festivalin e 54-të të RTSH ku bëmë një kolazh në nder të Tonin Tërshanës.” Në vite më të hershme i çojnë kujtimet dhe bashkëpunimet me Françesk Radin, emra të tjerë të njohur të muzikës shqiptare, siç janë kompozitorët Enver Shëngjergji, Limoz Dizdari dhe Luan Zhegu. “Kam pasur fatin që të bashkëpunoj me Frankon në Festivalin e Dytë të Këngës “Stduenti” me këngën “Erdhëm nga larg” që e këndonte Franko dhe Justina Aliaj. Bekimi dhe mallkimi i tij ishte se ai ishte një Adriano Çelentano shqiptar. Kjo gjë për kohën ishte e vështirë” thotë kompozitori Shëngjergji. “Ajo që më ka tërhequr gjithmonë ka qenë qartësia, qetesia dhe vlerat që mbarte me vete. Ka qenë natyrë e sjellshme e komunikuese e tij” thotë kompozitori i njohur Limoz Dizdari. “Frankon i përket asaj plejade artistësh që kanë lënë një shjenjë të pandryshueshme në muzikën shqiptare” kujton miku i tij Luan Zhegu. Françesk Radi u nda nga jeta pas një hemoragjie cerebrale të beftë. Krahas bashkëshortes gazetares së njohur Tefta Radi dhe dy femijëve, ai la pas një krijimtari të pasur muzikore.

Sicred