KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » HIDROCENTRALI I MOGLICËS, SA PO NDIKON NË PUNËSIM?

HIDROCENTRALI I MOGLICËS, SA PO NDIKON NË PUNËSIM?

Projekti për ndërtimin e Hec-it të Moglices është në fazën më intensive të tij. Punimet në 16 km tunele janë të përfunduara në masën 80 % ndërsa punimet për ndërtimin e digës janë në vazhdim. Lartësia e Digës së Moglicës do të jetë 150 m dhe është një nga digat më të larta të llojit të saj në botë. Ajo do të lidhet me Centralin e Prodhimit nëpërmjet një tuneli 11 km të gjatë. Deri më tani janë investuar rreth 150 million euro për ndërtimin e HEC Moglicës ç’ka përbën thuajse gjysmën e investimit. Arben Dulellari, Administrator i Njësisë Moglicë thotë se ky projekt ka ndikuar në punësimin e banorëve të zonës dhe përmirësimin e jetesës së tyre: “Ndërtimi i këtij projekti të HECI-t Moglicë ka sjellë punësime dhe ka sjellë përmirësime në të ardhurat e familjeve të komunitetit të Moglicës. Kemi 50 banorë të punësuar nëpër firmat që punojnë në ndërtimin e HECI-t Moglicë”tha zoti Dulellari. Por disa prej banorëve nuk ndajnë të njëjtin mendim sa i takon përfitimeve të zones së Moglices nga investimi madhor që është duke u kryer: “Disa firma kanë ardhur, asnjë nuk punësohet. Na thonë që punëtorët nuk janë të profilizuar dhe shoqëritë konçesionare i marrin vet punëtorët e tyre” u shpreh Alma Hysenllari mësuese e fshatit Moglicë. Hidrocentrali i Moglices është një nga veprat e rëndësishme energjitike për Shqipërinë bashkë me atë të Banjes ngritur mbi Kaskadën e Devollit. Në tërësi kjo kaskadë me dy hidrocentralet do të rrisë kapacitetet energjitike të vendit me 17% më shumë dhe do të prodhojë energji të pastër.