KRYEFAQJA » LAJME » Nisin hetimet për vdekjen e 16 vjeçares

Nisin hetimet për vdekjen e 16 vjeçares

Policia i ka referuar Prokurorisë materialet për hetimet e mëtejshme për tre mjekët që asistuan në operacionin e vajzës 16 vjecare Blerta Pepa në spitalin privat në kryeqytet. Me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm ndaj adoleshentes, janë proçeduar mjekët Jovan Kosta dhe Moeibus Ulf. Ky i fundit ka qenë edhe mjeku kirurg i cili ka bërë ndërhyrjen. Ndërkohë, i proçeduar është edhe mjeku anestezist, Tefik Zhudra, i cili pasi 16-vjeçarja ndërroi jetë tentoi vetëvrasjen, ndërsa më pas pësoi edhe infarkt. Televizioni shqiptar u interesua pranë mjekësisë ligjore në lidhje me shkakun e vdekjes së 16 vjeçares. Burime thanë se autopsia do të kërkojë kohë për të dalë në përfundim zyrtar por paraprakisht mësohet se shkaku i vdekjes së vogëlushes ka qenë hipertermia malinje, një komplikacion i shfaqur gjatë operacionit. Gjithashtu, ekspertiza bën të ditur se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale është përdorur edhe ilaçi “Dantrolen”, i pretenduar se ka munguar gjatë operacionit. Pavarësisht përdorimit të këtij ilaçi, 16 vjecarja nuk ka mundur ti mbijetojë komplikacionit shëndetësor, duke ndërruar jetë pak orë pas operacionit. Sot reagoi edhe ministria e shëndetësisë e cila ndërsa shpreh ngushëllimet për familjen thotë se po ndjek nga afër ecurinë e gjendjes shëndetësore të mjekut reanimator, i cili po lufton me vdekjen në këto orë të vështira në Spitalin Universitar të Traumës. Ministria e Shëndetësisë ka ngritur grupin e punës për ndjekjen e këtij rasti dhe garanton se do të marrë masat e duhura për këtë ngjarje të rëndë.

Sicred