KRYEFAQJA » LAJME » Hetimet për ish ministrin Tahiri- debat në Komisionin e Ligjeve

Hetimet për ish ministrin Tahiri- debat në Komisionin e Ligjeve

Ngjarjet e fundit të aktualitetit që përfshijnë hetimet rreth ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, kanë prekur edhe cilësinë e punimeve të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Në agjendën e komisionit ishte përcaktuar diskutimi i disa çështjeve që nisnin me shqyrtimin e ndryshimeve në ligjin për noterinë.
Por që në nisje të mbledhjes, përfaqësuesi i opozitës Eduard Halimi, e cilësoi klimën politike jo normale, për shkak të fakteve që sipas tij, po tregojnë kapjen e qeverisë në flagrancë me botën e krimit. Demokratët thonë se në kushte të tilla diskutimi i çdo projektligji nuk mund të vijojë duke shkaktuar edhe replika me kreun e komisionit, socialistin Ulsi Manja.
“Në cilin vend ndodh që policia të fshehi për tre ditë ngjarjen, kapjen e një personi që po e ndiqte, që i gjen brenda 840 mijë euro kesh, që i gjen brenda tre patenta të ish ministrit të brendshëm?” pyeti zoti Halimi. Sipas tij gjithë ky diskutim për këtë projektligj apo projektligje të tjera që mund të jenë të rëndësishëm bëhen vetëm në një vend normal nga një qeveri e cila nuk është e lidhur me krimin.
“Asgjë e re nga fronti i opozitës, i kemi dëgjuar këtë fundjavë të gjitha. Thjeshtë është kthyer në zëdhënëse të institucioneve të policisë së shtetit dhe mua më vjen mirë për këtë” tha deputeti socialist Ulsi Manja.
Deklaratat e deputetit demokrat paralajmeruan largimin e një pjesë të opozitës nga komisioni i ligjeve. Dy deputetet e LSI Naço dhe Panariti nuk u larguan nga salla e mbledhjes se komisionit duke ndjekur pjesën e mbetur të agjendës së ditës në komisionin më të rëndësishëm të Parlamentit të Shqipërisë.