KRYEFAQJA » LAJME » Helmimi i 13 punonjësve të rrobaqepsisë “ LOVERS ALBANIA”

Helmimi i 13 punonjësve të rrobaqepsisë “ LOVERS ALBANIA”

Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, Qendra për të Drejtat në Punë dhe Qendra “ Aulona” kanë bërë publike sot disa prej gjetjeve të tyre për kushtet e punës në sektorin e tekstileve dhe këpucëve. Në peticionin e bërë publik, rasti i fundit i helmimit të dyshuar të 13 punonjëseve të një kompanie rrobaqepësie në Shkozet të Durrësit, është tregues jo vetëm i shkeljeve të sigurisë dhe shëndetit në punë, po edhe shkelje e të drejtave të njeriut: “Sipas raportimeve të grave dhe vajzave punonjëse në fabrikat e këpucëve dhe tekstileve ato bëjnë rreth 300 orë shtesë në vit dhe mezi marrin pagën minimale. Ato deklarojnë që nuk e shohin pathuajse kurrë pushimin vjetor me sy. Ka prej atyre që kanë punuar 4-5 vite rrjesht dhe nuk janë paguar apo nuk kanë bërë pushim të paguar. Shoqëri të ndryshme këpucësh apo tekstileve që operojnë në shqipëri kanë kontrata kolektive me punonjëset. Sipas investigimeve tona punonjëset nuk e kanë lexuar kurrë kontratën dhe nuk janë në dijeni të të drejtave që lindin nga kjo kontratë. Ndërkohë që detyrimet iu bëhen mjaft të qarta nga punëdhënësit” tha Mirela Arqimandriti nga Qendra Alenca gjinore për zhvillim.

Peticioni iu drejtua të gjitha institucioneve që kanë detyrim të monitorojnë sigurinë dhe shëndetin në punë: “Të hetohet dhe të bëhet transparencë mbi faktorët që helmuan mbi 20 gra të shoqërisë “ LOVERS ALBANIA” në punë e sipër midis të cilave nga të dhënat tona 6 ishin shtatëzënë. Inspektimet e punës dhe ato shëndetësore nga kjo shoqëri dhe ekzaminimin e vlerësimit të rriskut dhe personave përgjegjës për hartimin e tij”.

Në lidhje me këtë ngjarje Inspektoriatet e Punës dhe Shëndetit në Durrës kanë nisur hetim administrativ: “Menjëherë sapo kam marrë ktë njoftim nëpërmjet medias kam autorizuar inspektorët në cilësinë e kryeinspektores rajonale të cilët kanë filluar hetimin administrativ në fjalë. Jemi akoma në fazën e hetimit paraprak dhe në ditët në vijim do ju japim një përgjigje më të saktë” theksoi Kryeinspektorja e Inspektoriatit të Punës në Durrës Silvana Maksuti.

Në spitalin e Durrësit fillimisht u paraqiten 13 punonjëse me humbje vetëdijeje, 5 prej të cilave janë dërguar në QSUT për mjekim të mëtejshem. Sot ende 2 gra po trajtohen në spitalin e Durrësit, ndërsa nuk ka ende një përgjigje për shkakun e kësaj ngjarjeje.

Sicred