KRYEFAQJA » LAJME » Harta digjitale e RTSH pasurohet me Vlorën

Harta digjitale e RTSH pasurohet me Vlorën

Transformimi teknologjik në rrjetin e transmetimeve të RTSH po realizohet me ritme të shpejta. Së fundi, RTSH ka shtrirë sinjalin digjital edhe në qarkun e Vlorës, me ndezjen e dy transmetuesve digjitale në stacionet e Shashicës dhe Zvërnecit. Ata janë pjese e më shumë se 40 stacioneve që tashmë përçojnë sinjalin televiziv me cilësinë më të lartë të transmetimit të figurës dhe zërit në Shqipëri, falë investimeve që po realizohen vitet e fundit në RTSH.

Nga e enjtja banorët e Vlorës, por jo vetëm ata, edhe mijëra shqiptarë të tjerë që në këtë sezon veror do të vizitojnë bregdetin e Vlorës, do të kenë mundësinë që të ndjekin përgjatë muajit qershor e korrik eventet më të rëndësishme sportive, si Botërori i Rusisë dhe gjithë gamën e gjerë të programacionit të RTSH me buqetën e tij të kanaleve gjeneraliste dhe atyre tematike, me kualitetin dhe fjalën e fundit të teknologjisë.

Mjafton një antenë e thjeshtë, e drejtuar nga një prej dy transmetuesve, Shashicë dhe Zvërnec, një kërkim i thjeshtë në televizorin tuaj dhe menjëherë në të do të shfaqen të rreshtuara kanalet e rrjetit të RTSH, një mori zgjedhjesh për të gjithë moshat, për të gjitha shijet, duke u munduar të plotësojë qëllimin e medias publike për informim, edukim dhe argëtim.
Natyrisht që këtë muaj vemendjen më të madhe do ta marrë “Rusia 2018” që nis për vetëm pak, e që do të vijë në shtëpinë e çdo banori në Vlorë, dhe në Shqipëri si kurrë më parë me cilësinë më të lartë të figurës.

Qytetarët të pyetur për këtë shërbim thonë se transmetuesi publik po rikthen jo vetëm nostalgjinë e munguar, por edhe cilësi në sinjal. Vlora është investimi më i fundit që i bashkohet hartës digjitale të RTSH, e cila ka nisur transmetimet me qualitet të lartë më parë në Tiranë, Durrës, Korçë, Pogradec, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër, Kukës dhe që çdo ditë do të zgjerohet me të tjerë qytete deri në mbulimin e plotë të gjithë territorit shqiptar. Synimi është që të gjithë shqiptarët të gjejnë vetën në transmetuesin e tyre publik, me cilësi dhe standarde që përmirësohen çdo ditë.

Botërori i Rusisë është një ndër eventet që do të mbajë mbërthyer përpara ekranit të RTSH të gjithë publikun për një muaj të plotë. Por një verë e nxehtë sportive është përpara, për të gjithë të apasionuarit e eventeve të tjera të mëdha sportive, me transmetimet e garave të Moto GP dhe ekskluzivitetit më të ri të RTSH, Formula Nje, gara më spektakolare dhe më e shpejtë e automobilizmit.

Sicred