KRYEFAQJA » LAJME » Haradinaj votohet si kryeministri i ri i Kosovës
Kryeministri i Kosovës Haradinaj vizitë të mërkurën në Tiranë

Haradinaj votohet si kryeministri i ri i Kosovës

Ramush Haradinaj është tashmë kryeministri i ri i Kosovës. Kuvendi i Kosovës e ka votuar pasditen e së shtunës me 62 vota pro. Koalicionit PAN, i drejtuar nga ish-komandantët e UÇK-së, AKR-së së ish presidentit e Behgjet Pacolli, i janë shtuar dhe vota e partisë që përfaqëson pakicën serbe të Kosovës, siç thuhet pas një konsultimi të gjatë në Beograd.
Duke prezantuar prioritetet e kabinetit të tij, zoti Haradinaj theksoi forcimin e endit dhe ligjit, anëtarësimin në NATO, integrimin europian dhe dialogun me Serbinë. “Kosova sot rrezikohet nga rreziqe të reja e të vjetra, ndaj asaj i duhet së pari siguri e brendshme, forcim i rendit dhe shtetit ligjor. Vetë Kosova do të ndihet e sigurtë vetëm me anëtarësimin në NATO dhe ne do të punojmë për ta çuar drejt NATO-s. Anëtarësimi në organizmat ndërkombëtare është vështirësuar, por ne do të punojmë edhe për këtë. Ne do punojmë në kohë rekord për implementimin e MSA-së dhe do të marrim statusin e vendit kandidat. Gjithashtu, ne do të forcojmë miqësinë me Shtetet e Bashkuara, një miqësi e përhershme dhe jo vetëm për kohë të vështira. Sa për rajonin, dialogu me Serbinë nuk ka alternativë” kryeministri i ri i Kosovës Ramush Haradinaj. Si shembull se do të jetë kryeministri i të gjithë shtetasve të Kosovës, zoti Haradinaj iu drejtua pakicave serbe në serbisht.
Opozita u shpreh e ashpër me programin e qeverisë Haradinaj. Glauk Konjufca i Vetëvendosjes tha se “Programi i qeverisë ishte i shkurtër sepse ishte i varfër”, ndërsa kërkoi një mocion të menjëhershëm për votimin e qeverisë, në kohën kur në sallë mungonin deputetët serbë, por që nuk u pranua.
Në emrat e kabinetit Haradinaj bie në sy emri i Behgjet Pacollit, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i jashtëm. Qeveria ka katër zv kryeministra dhe 10 ministra.

Sicred