KRYEFAQJA » LAJME » Haradinaj: Treg shqiptar në Ballkan

Haradinaj: Treg shqiptar në Ballkan

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka shprehur keqardhjen e tij që edhe gjatë vitit 2018 Bashkimi Europian nuk i hoqi vizat për qytetarët kosovarë, ndonëse Kosova i ka përmbushur tërësisht kushtet e vendosura prej tij. Në një intervistë dhënë gazetares së RTSH Mimoza Haxhiaj, ai shpreh shpresën që kjo çështje të hyjë në rendin e ditës sa më shpejt. Zoti Haradinaj shprehet edhe lidhur me qëndrimin e tij për idenë e presidentit Thaçi për këmbimin e kufijve me Serbinë, qëndimin e Serbisë ndaj Kosovës, parashikimet me ecurinë e dialogt mes tyre, ushtrinë e Kosovës, por edhe marrëdhëniet me Shqipërinë dhe prioritetet e qeverisë së tij për vitin 2019. Ai ka shprehur dëshirën që  Shqiptarët në Ballkan të unifikojnë tregun ekonomik, politik, të sigurisë dhe kulturës.

Në vazhdim një përmbledhje e intervistës.

Përshëndetje zoti kryeministër dhe faleminderit që pranuat ftesën. Viti që po mbyllet ishte një Vëzhgues sa i përket dështimit për liberalizimin e vizave. Ç’farë komenti ka kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj për këtë?

Ishte sfidë për ne përmbushja e obligimit të fundit, ratifikimit i marrëveshjes Kosovë -Mal i Zi për shënimin e kufirit. Ne gjetëm një formulë të ratifikimit, tatifikuam edhe marrëveshjen, por po ashtu votuam në këtë pako edhe Raportin e Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe njëkohësisht deklaratën e presidentëve për dakordim për korrigjim në drejtimet çfarë ka dhe kur.

Me këtë u përmbushen kushtet për liberalizimin e vizave. Komisioni dha vlerësim që Kosova i ka përmbushur plotësisht kushtet. Parlamenti Evropian votoi po ashtu pro, ka mbetur vetëm Këshilli i Ministrave. Për fat të keq për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës është një neglizhencë nga vendimarrësit në BE për këtë çështje. Tani jemi me shpresë që në një takim të ardhshëm mund të futet në agjendë. Shpresojmë!

Jemi të zhgënjyer me faktin që BE nuk e përmbushi pjesën e vet të obligimit. Jemi të vetmit të izoluar në Ballkan dhe në Europë.

Cilat janë marrëdhëniet me BE pas përplasjeve për çështjen e vizave dhe tarifave me Serbinë ?

Ne kemi marrëdhënie kontraktuale me BE, MSA-në dhe vazhdojmë me implementim të prioriteteve. Synimi ynë është të aplikojmë me statusin e kandidatit. Ne kemi disa vështirësi të marrëdhënieve tona për shkak të pesë vendeve që nuk na kanë njohur.

Çështja e tarifave për mallrat që vijnë nga Serbia është një çështje tjetër është e ndarë dhe kjo vjen për shkak se Serbia zhvillon agresivitet të madh kundër Kosovës dhe në mbrojtje të Kosovës, të sigurisë kombëtare, të interesave të Kosovës në planin e brendshëm e global jemi të detyruar të vendosim.

A ka Kosova pengesë nga vendet jo njohëse për në BE?

Realisht nuk është pengesa nga vendet jo njohëse. Pengesë ka qenë që në dinamikat e brendeshme të BE nuk është vlerësuar si teme e rëndësishme edhe çështja e futjes në rend të ditës. Këtë mund t’a bëjnë vendet e fuqishme siç është Gjermania apo ndonjë vend tjetër, pra na nevojitet një sponsor që e vendos çështjen e Kosovës në rend dite, për liberalizimin e vizave. Por vëndet jo njohëse përfshirë Greqinë  apo vende të tjera janë sjellë të kujdesshëm ndaj qytetarëve të Kosovës, janë pranuar pasaportat, na japin viza për të qarkulluar kemi marrëdhënie tregëtare. Pra duhet një vemendje, dikush duhet t’a marrë përsipër se ne nuk jemi atje në tavolinë dhe kjo është temë e tyre e brendëshme, dhe dikush nga këto vende duhet t’a sponsorizojë.

Zoti Haradinaj a u’a ka shpjeguar ndonjëherë presidenti Thaçi idenë e tij të shkëmbimit të kufijve ? Cila është ajo dhe pse Haradinaj është kundër shkëmbimit të kufijve me Serbinë?

Unë kam menduar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që ka lehtësuar përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini është për normalizim, do të thotë për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është një dialog për status dhe s’ka përse të jetë se Kosova është e pavarur. Gjykata Ndërkombëtare e ka gjetur shpalljen e pavarësisë së Kosovës jo në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk ka menduar se dialogu mund të kthehet ndonjëherë për dialog për territore, për kufij, pra është një dialog për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve. E duke qënë kështu unë i detyrohem mbrojtjes së Kosovës së 17 shkurtit 2008, pavarësisë së Kosovës, Kushtetutës, kufijve dhe në bazë të detyrës jam kundër të çdo ideje me lëviz me kufij me toka me Kosovën.

Cilat janë marrëdhëniet me presidentin Thaçi. Si do i përkufizonit?

Marrëdhëniet janë të ftohura. Bashkëpunojmë me institucionet. Nuk kemi marrëdhënie ta quaj personale.  Kosova ka dështuar me vizat. Ka një bllokim të njohjeve të reja, ka debate të brendeshme për mënyrën dhe qasjen në negociatat me Serbinë. Si do të jetë viti 2019 në këndvështrimin e Haradinajt?

Kosova ka qenë në një pozitë të pafavorshme të brendëshme dhe të jashtme. Më kujtohet kur kam marrë përgjegjësinë në qeverisje. Gjithë energjia që kemi konsumuar ka qenë me e ble jashtë. Sot prodhojmë 800 mega wat. Pastaj ka pasur probleme në planin e ligjeve në planin e vendimeve të marra, në planin e jashtëm po ashtu. Ajo që është e rëndësishme është se Kosova tani është e qëndrueshme. BE nuk e ka marrë vendimin për liberalizimin e vizave, por Kosova i ka kryer punet e veta. Pra ne i kemi kryer punët tona. Ne kemi kryer listën e punëve që na janë dhënë, sukurse kemi kryer listen e punëve bilaterale të dakorduara me Amerikën, me BE-në me Berlinin. Ne kemi lëvizur përpara si Kosovë .

Qasja e Serbisë ndaj Kosovës është një qasje penguese, është një qasje realisht agresive, armike ajo synon me e zhbë Kosoven. Mirëpo Kosova ka mujt në vetvete me u konsolidu. Rasti i infrastrukturës së sigurisë dhe përmbyllja e çështjes së ushtrisë, pastaj dhe situata me tarifat është një tregues, që Kosova qëndron ka sfidat e veta përpara vetes, qeverisja nuk është e përkryer, por duhet fokusuar shumë më shumë edhe në luftimin e korrupsuionit dhe cilido krimi në vend. Jemi vlerësuar nga Washingtoni, Brukseli, Berlini jemi vlerësuar na kanë uruar të gjithë për këtë pako, por po ashtu na kanë uruar edhe për dinamikën që kemi dhe për punët e shtëpisë. Të gjitha qeveritë që kanë partneritet me Kosovën e vlerësojnë Kosovën dhe mënyrën se si i kryejnë detyrat e shtëpisë.

Cilat do të jenë prioritetet e qeverisë për vitin 2019?

Rendi dhe ligji, siguria mbetet, forcimi i juridiksionit, sovranitetit këto mbeten, janë baza për ne. Tani jemi në një terren më të qëndrueshëm. Në fokus do të kemi ekonominë, aktivizimin e resurseve, potencialet që ka për zhvillim ekonomik Kosova, Diaspora.

Ndalemi tek ushtria e Kosovës. Ç’farë është konkretisht ushtria e Kosovës? Thjesht një trupë me njerëz, ushtarë të stërvitur apo do të ketë edhe mjetet e rënda dhe pse jo forcën e saj ajrore?

Ushtria është doktrinë dhe e drejtë. Kosova në bazë të së drejtës ndërkombëtare, ka të drejtë të mbrojë veten dhe për shkak se ne jemi shpallur një shtet sovran dhe i pavarur, Gjykata Ndërkombëtare nuk e ka gjetur shpalljen e pavarësisë së Kosovës në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Në bazë të kushtetutës së vendit, në bazë të ligjeve të veta, të drejtës së vetë sovrane, Kosova ka krijuar ushtrinë. Krijimi i ushtrisë është mandat me mbrojt veten. Ky është dallimi, pra nuk është numri i njerëzve, ekspertiza e tyre, armët e tyre, apo sistemi i armatimit të tyre, por është mandati, e drejta në mbrojtje dhe kemi të drejtë ne tani ta mbrojmë veten sipas të drejtës ndërkombëtare, askush nuk e mohon këtë.

Njëkohësisht ne kemi një doktrinë dhe doktrina është e paqes dhe vjen si ushtri në paqe. Rreshti i ushtarit të Kosoves, do t’i bashkohet ushtrive të paqes, asaj të Shqipërisë, ushtrive të NATO-s dhe ky është dallimi. Më në fund edhe Kosova është pjesë e rreshtit të ushtrive të paqes .

Ushtria e Kosovës ka sjellë një tjetër përplasje me Serbinë, por këtë radhë edhe me një pjesë të vendeve europiane që e kanë quajtur të parakohshme. Si e gjykoni ?

Ky është vendimi ynë, nuk është çështje e diskutimeve bilaterale me asnjë shtet, është e drejtë sovrane e një vendi. Nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, atëhere si mundet me qenë krijimi i ushtrisë së Kosovës në kundërshtim me të drejten ndërkombëtare. Ne jemi shpallur shtet sovran dhe i pavarur dhe Gjykata Ndërkombëtare nuk e gjen këtë në konflikt me të drejtën ndërkombëtare atëhere asnjë vend tjetër s’ka të drejtë të flasë për një vendim sovran të vendit në këtë rast Kosovën për krijimin e ushtrisë. Iu mbetet vetëm me e respektuar nëse dëshirojnë më e respektuar, por është vendim sovran i Kosovës. Ne i kemi marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e BE-se dhe të gjitha vendet e NATO-s, me ushtrinë e  KFOR që është në Kosovë, edhe KFOR-i është ushtria jonë po ashtu. Kosova e ka konsoliduar veten në fushën e mbrojtjes .

Ka një zhvillim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Tani ka nje zhvillim më të mirë, Kosova është me e konsoliduar përsa i përket dialogut. Qeveria ka përgatitur dhe ka dorëzuar edhe tek delegacioni, por edhe tek parlamenti marrëvshjen gjithë përfshirëse me gjithë kapitujt që është një objekt diskutimi mjaft i rëndësishëm. Është vlerësuar kjo marrëveshje nga qasje të brendëshme nga qasje të tjera përfshij në Washington edhe në Bruksel, i kanë dhënë mendimet e veta për këtë marrëvshje e cila është racionale, e balancuar, por që është dokument i gjatë dhe që do të punohet në të. Besoj që takimet që kanë ndodhur në të kaluarën pse jo. Mirëpo ajo që ne presim është ndryshimi i qasjes në dialog për shkak se dialogu që ka ndodhur i inicuar nga zonja Mogherini nuk ka sjellë rezultat. Eshtë një dialog i plogësht, pa rezultate, i  devijuar. Për rezultatin që pritet nevojitet përfshirja e Uashingtonit zyrtar dhe i kryeqendrave të BE, por nuk e shoh suksesin përmes vazhdimit të dialogut që ka ndodhur deri më tani .

Zoti Haradinaj cilat janë marrëdhëniet tuaja me Shqipërinë, me kryeministrin Edi Rama dhe a e keni diskutuar me të çështjen e kufijve?

Bëj shumë kujdes që marrëdheniet me Shqipërinë të jenë më të mirat. Nga viti ‘90 e deri me sot ne kemi bërë kujdesin më të madh, ne kemi shtëpinë tonë të hapur. Në familjen time kanë ardhur që të gjithë zyrtarët e Shqipërisë, të gjithë kryeministrat, të gjithë presidentet. Jemi një familje nuk duhet me i pengu Shqipërisë që jam unë këtej dhe s’duhet me i pengu Kosoves që është Edi andej! Ne duhet të punojmë bashkë, për faktin se kemi mbërritur në një marrëdhënie, marrëvshjet e fundit kanë  bërë me heqjen direkt të barrierave. Jemi dy sisteme ekonomie me dallime, dy sisteme arsimore me dallime, dy sisteme të sigurisë me dallime dhe  të gjitha këto duhet t’i bëjmë të barabarta me i heq këto dallime. Ajo po ndodh! Së fundmi hoqën pikë kufitare, nuk ka pikë kufitare të Kosovës, ka një pikë të përbashkët! Jemi miq! Shtëpia është e hapur! Ne e mirepresim një lidhje sa më të fortë mes Kosovës dhe Shqipërisë!

Keni nënshkruar marrëveshje mes dy qeverive. Cila është pritshmëria juaj?

Marrëveshjet po japin rezultat. Me pak po flasim më shumë po punojmë. Ka filluar një dinamikë e heqjes se barrierave të pakuptimta që kanë ekzistuar mes Kosovës dhe Shqipërisë ua kanë nxirë jetën njerëzve.

Urimi juaj..

Ne kemi një proces që ekziston para nesh. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron drejt BE.  Kosova aspiron drejt NATO-s dhe drejt BE .

Shqiptarët kudo që jetojnë në Ballkan. Të kemi një mundësi më të madhe të shkëmbimeve të marrëdhënieve të lidhjes tonë.  Urimi im është që ti shfrytëzojmë të gjitha ato mundësi që kemi dhe që të unifikojmë tregun ekonomik, politik, të sigurisë, kulturor.  I siguroj bashkëkombasit tanë edhe në Ballkan, por edhe në botë që Shqipëria jo vetëm që nuk do të jetë barrë me u kthye në pengesë, por Kosova do të jetë ndihmesë e integrimit të ndërsjelltë me shqiptarët. Urime për më shumë integrim!

Ju faleminderit!

Sicred