KRYEFAQJA » LAJME » Haradinaj takohet me Federica Mogherini

Haradinaj takohet me Federica Mogherini

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua sot në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Haradinaj dhe Mogherini biseduan për perspektivën dhe rrugën evropiane të Kosovës. Kryeministri Haradinaj theksoi se me dinamikën e përcaktuar me qeverisjen e re është përshpejtuar edhe procesi i përmbushjes së Agjendës së Reformave Evropiane dhe kriteret e përcaktuara me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.Ai tha se Kosova është e përkushtuar dhe po punon në reformat në fushën e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në arsim e shëndetësi dhe synon që të arrijë deri në fund të vitit 2018 statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Sipas Haradinajt, perspektiva evropiane e Kosovës duhet të jetë e qartë dhe e hapur. Edhe këtë herë, ai nënvizoi rëndësinë e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Haradinaj, shtoi se Kosova ka mbetur vendi i fundit dhe i vetmi në Evropë pa lirinë e lëvizjes dhe se përshpejtimi i këtij procesi do të ndihmonte qytetarët dhe vendin. Sipas tij anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare duhet të bëhet pa pengesa. Në takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Sicred