KRYEFAQJA » LAJME » Haradinaj fton në konsultime partitë politike për krijimin e qeverisë

Haradinaj fton në konsultime partitë politike për krijimin e qeverisë

Pas mbledhjes së kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari i saj dhe njëkohësisht kandidati për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj tha se i ka dërguar një letër kryetarit të Vetëvendosjes Visar Ymeri, kryetarit të LDK-së Isa Mustafa dhe krerëve të Listës Serbe. Në një prononcim për mediat, Haradinaj theksoi se qëllimi i letrës është njoftimi se deri të hënën e ardhshme të mbahet seanca konstituive e Kuvendit e pas kësaj seance të vazhdojë puna për krijimin e qeverisë. “Për nesër kam propozuar takim me Visar Ymerin dhe Isa Mustafën. Kam propozuar që takimi të mbahet në zyrat e Kuvendit. Nuk do të ndalemi të flasim me çdo deputet të zgjedhur të Kuvendit. U siguroj që qeverinë do ta kemi në afat rekord. Si i nominuar, përparësi i jap një koalicioni sa më të gjerë”, nënvizoi Haradinaj. Sa i përket takimit me ambasadorin amerikan Greg Delawie që u mbajt para mbledhjes së Kryesisë Haradinaj u shpreh se kemi patur konsulta të rregullta për të biseduar për temat që janë në interes të vendit. Ndërkaq ka qënë i menjëhershëm reagimi i Kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, i cili tha se nuk do t’i përgjigjen ftesës së Haradinajt për takim pasi siç kanë theksuar më parë, nuk do të hyjnë në asnjë koalicion me PDK-në.

Sicred