KRYEFAQJA » LAJME » Hahn-Kosova, jo kushti i vetëm për anëtarësimin e Serbisë në BE

Hahn-Kosova, jo kushti i vetëm për anëtarësimin e Serbisë në BE

Në një intervistë për të përditëshmen serbe “Vjecerni Novosti”, Komisioneri europian për zgjerim, Johannes Hahn, ka deklaruar se zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk është kushti i vetëm i Serbisë për anëtarësim në BE.Sipas Hahn, zbatimi i reformave në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe qeverisjes së mirë, janë thelbi i proçesit të zgjerimit.I pyetur se cilat janë gjasat që Serbia të jetë anëtare e BE-së deri në vitin 2025, Hahn është përgjigjur se asnjë shtet anëtar i ri nuk mund të bëhet pjesë e bllokut pa zgjidhur çështjet e hapura bilaterale. “Për Serbinë kjo do të thotë se është e nevojshme të përfundojë dhe të zbatojë në mënyrë të përhershme marrëveshjen ligjore me Prishtinën. Por më lejoni të shpjegoj edhe një gjë. Duket se shumë, përfshirë politikanë, e kanë përshtypjen se zgjidhja e çështjes së problemit të Kosovës është kushti i vetëm i Serbisë në rrugën drejt BE-së. Por nuk është kështu. Implementimi i reformave në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe qeverisjes së mirë mbetet thelbi i procesit të zgjerimit”, ka shtuar Hahn. Komisioneri europian nuk i është përgjigjur pyetjes se kur pritet të arrihet marrëveshja përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe për çështjen e ndryshimit të mundshëm të kufijve, por theksoi se Bashkimi europian nuk spekulon mbi elementët e mundshëm të marrëveshjes ligjore përfundimtare të detyrueshme. Sipas Hahn, BE e mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe marrëveshja përfundimtare nënkupton një zgjidhje të qëndrueshme, reale në përputhje me ligjin ndërkombëtar të BE-së. “Çfarëdo marrëveshje të arrihet, ajo duhet të jetë specifike dhe e përshtatshme, që të mos krijojë precedent dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe rrugën drejt BE-së”, tha Hahn.

Sicred