KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Guvernatori Sejko takohet me përfaqësues të BERZH

Guvernatori Sejko takohet me përfaqësues të BERZH

Në kuadër të vizitës në Shqipëri, përfaqësues të Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) zhvilluan sot një takim me Guvernatorin, z. Gent Sejko në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Në këtë takim merrnin pjesë edhe Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni, Zëvendësguvernatorja e Dytë, zj. Natasha Ahmetaj, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, z. Genci Mamani dhe përfaqësues të tjerë të Bankës së Shqipërisë. Fillimisht, Guvernatori Sejko i njohu përfaqësuesit e Bordit të Drejtorëve të BERZH-it me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se sot sistemi shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë. Disa nga çështjet më të rëndësishme që u diskutuan ishin nxitja e kreditimit, reduktimi i kredive me probleme si dhe nisma më e fundit në drejtim të deeuroizimit të ekonomisë. Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i këtyre çështjeve ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e cila ka marrë masa në vazhdimësi, duke përfshirë një sërë përmirësimesh ligjore dhe rregullatore. Këto masa kanë dhënë efektet e tyre graduale dhe të qëndrueshme, të cilat pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen e afërt. Zhvillimi i tregjeve të kapitalit me qëllim zgjerimin e mëtejshëm të sistemit financiar, përputhshmëria me direktivat ndërkombëtare në aspekte të tilla si ai i pastrimit të parave, si dhe fokusimi te edukimi financiar më i gjerë i publikut dhe aktorëve të tjerë, ishin disa çështje të tjera të cilat u pritën me mjaft interes. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Bordit të Drejtorëve të BERZH-it vlerësuan Bankën e Shqipërisë për politikat dhe rolin e saj, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe kanë stimuluar rritjen ekonomike të vendit. Më tej, përfaqësuesit e Bordit të Drejtorëve u shprehën se BERZH-i do të vazhdojë të japë kontributin e tij në Shqipëri lidhur me projekte të rëndësisë së veçantë, në fusha të tilla si: stabiliteti financiar, agrobiznesi, energjia, etj. Gjithashtu, u diskutua lidhur me disa nga prioritetet e BERZH-it në Shqipëri përfshirë rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat, mbështetjen në një frymë të fortë sipërmarrëse në ekonomi, forcimin e lidhjeve rajonale infrastrukturore, promovimin e energjisë së qëndrueshme dhe investime të shëndosha për mjedisin. Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit nënvizuan se trajtimi i sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, si ruajtja e stabilitetit politik dhe vazhdimi e thellimi i mëtejshëm i reformave strukturore, mbeten të një rëndësie të veçantë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri. Në përfundim, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të vendit tonë me BERZH-in. Ai e falënderoi BERZH-in për kontributin e rëndësishëm që ka dhënë për Shqipërinë dhe theksoi se zgjerimi i bashkëpunimit me të mbetet mjaft i rëndësishëm, jo vetëm për mbështetjen konkrete me investime financiare, por edhe për sigurinë dhe seriozitetin e projekteve që financon.

Sicred