KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Grupi H, një “tango” për tre skuadra
Grupi H, një "tango" për tre skuadra

Grupi H, një “tango” për tre skuadra

Grupi H luan sonte ndeshjet e fundit dhe, me Senegalin dhe Japoninë, që ndajnë kreun me nga 4 pikë, e me Kolumbinë të 3-tën me një pikë më pak, gjithçka është e hapur sa u përket dy biletave për në turin tjetër të këtij Botërori. Më të favorizuar duken japonezët, të cilët do të ndeshen me Poloninë, tashmë të eliminuar edhe matematikisht. Por trajneri i Polonisë Adam Navallka, theksoi se kjo ndeshje e fundit është një mundësi për të rikthyer sadopak nderin e humbur. “Ne jemi të ndërgjegjshëm se duam t’i japim sadopak ngushëllim tifozëve tanë. Dhe ne jemi përgatitur edhe mendërisht për këtë sfidë dhe besoj se të gjithë lojtarët do të jenë në formë optimale ndaj Japonisë” tha portieri Navallka.
Ndërkaq, homologu japonez, Akira Nishino, ka qenë i shqetësuar për kushtet atmosferike në Vollgograd, por pret që kjo të mos e shqetësojë skuadrën.”Kur erdhëm këtu, u çudita nga niveli i lagështisë së ajrit, që ishte shumë më tepër nga ç’e prisja. Por tani nuk besoj se forma fizike e skuadrës do të ndikohet edhe aq nga ky fakt, sepse, fakti që kemi arritur rezulate mjaft të mira deri më tani bën që lojtarët e mi të mos e ndjejnë lodhjen” tha Nishino.
Ndërkaq, vëmendja është tek takimi tjetër i grupit, ku Senegali dhe Kolumbia luajnë gjithçka për gjithçka. Për trajnerin e Kolumbisë, Hoze Pekerman, Senegali duhet respektuar për bilancin që ka në Botëror. “Po, është e qartë se është një ndeshje vendimtare dhe se vetëm fitorja do të na garantonte vendin në turin e 16-shes. Morali ynë është i lartë dhe jemi optimistë teksa kthejmë kokën prapa për të parë sesi luajtëm në ndeshjen e fundit” tha traineri Pekerman.
Për trajnerin e Senegalit, Aliu Sisé, asgjë nuk është e sigurt sa i përket kualifikimit. “Po, kemi 4 pikë, por kjo nuk do të thotë asgjë, sepse kemi parë skuadra të eliminohen edhe me 4 pikë. Jemi të ndërgjegjshëm për këtë, prandaj kemi punuar në këtë drejtim sepse synojmë kualifikimin. Kemi një ndeshje në dispozicion për të shkruar historinë dhe jemi të vendosur ta bëjmë këtë” tha traineri i Sengalit Sise.

Sicred