KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Grupi E me sytë tek Serbi – Brazil
Grupi E me sytë tek Serbi - Brazil

Grupi E me sytë tek Serbi – Brazil

Grupi E luan sonte ndeshjet e fundit dhe, me Brazilin dhe Zvicrën që ndajnë kreun me nga 4 pikë, e me Serbinë të 3-tën me një pikë më pak, gjithçka është e hapur sa u përket dy biletave për në turin tjetër të këtij Botërori.
Më të favorizuar duken helvetët, të cilët do të ndeshen me Kosta Rikën tashmë të eliminuar edhe matematikisht. Një fitore do t’u mjaftojë zviceranëve për t’u kualifikuar, pavarsisht se çfarë ndodh në duelin tjetër të grupit, atë midis Serbisë dhe Brazilit. për këtë arsye, si trajneri Vladimir Petkoviç, ashtu edhe futbollisti Valon Behrami, kanë theksuar se skuadra hyn në fushë për fitore, ndërsa e kanë cilësuar një çështje të mbyllur atë të festimit me simbolin e shqiponjës, që çoi në gjobitjen paradoksale, të lojtarëve me origjinë shqiptare të përfaqësueses helvete nga ana e FIFA-s.
Ndërkaq, pritet të jetë një sfidë e luftuar fort ajo midis serbëve dhe 5 herë kampionëve të botës, me Brazilin që nuk ka bindur edhe aq në barazimin me Zvicrën në ndeshjen e parë, dhe që vuajti për të mposhtur me dy gola në shtesë Kosta Rikën në takimin e dytë. Trajneri i Brazilit, Tite, ka nxituar t’i dalë në mbrojtje yllit të skuadrës, Nejmarit, pasi ky i fundit është cilësuar si një “simulues teatral” nga ana e ish-trajnerit të njohur italian, Fabio Kapelo. Tite theksoi se sulmuesi ka një barrë tepër të rëndë mbi supe për suksesin e Brazilit dhe nuk i meriton kritikat e shumta që i janë bërë për paraqitjen jo dhe aq bindëse të “Selesao”-s në dy ndeshjet e para. Ndërkaq, kapiteni i Serbisë, Aleksandër Kolarov, e ka cilësuar ndeshjen me Brazilin më të rëndësishmen e karrierës së tij.

Sicred