KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Grupi C, Franca dhe Danimarka, “paqja” që kualifikon
Grupi C, Franca dhe Danimarka, “paqja” që kualifikon

Grupi C, Franca dhe Danimarka, “paqja” që kualifikon

I pari që ka zbritur në fushën e blertë të martën ka qenë grupit C, ku padyshim vëmendja ka qenë tek dueli evropian midis Danimarkës dhe Francës, aty ku, siç pritej të dyja skuadrat kanë ndarë nga një pikë. Barazimi i bardhë ka mjaftuar për t’i kualifikuar për më tej, ndërsa duhet theksuar se vetë ndeshja nuk u ngrit dot mbi nivelin mesatar, ashtu sikundër la për të dëshiruar edhe gjykimi i ndeshjes nga ana e kryesorit brazilian, Sandro Riçi, i cili nuk preferoi t’i drejtohej për ndihmë sistemit VAR.
Pjesa e parë, e dominuar nga francezët në raste, është mbyllur me rrjeta të paprekura, ashtu sikundër ka ndodhur edhe me atë të dytën, që, për më tepër është luajtur duke patur parasysh edhe rezultatin e ndeshjes tjetër të grupit. Mbyllet kështu 0-0 kjo sfidë dhe Franca kualifikohet si e para e grupit, ndërsa Danimarka e dyta.
Ndërkaq, në takimin tjetër të grupit C, Peruja ka shtangur Australinë, që erdhi në këtë përballje me shpresa matematikore për kualifikim, duke e mundur me dy gola, nga një për secilën pjesë loje. Përkundër faktit që australianët e dominuan pjesën e parë, ajo do të mbyllet me epërsinë minimale të amerikanolatinëve, të cilët gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 18-të, me anë të Karijos.
Pjesa e dytë do të nisë mjaft mirë për peruanët, të cilët do të dyfishojnë shifrat në minutën e 50-të, me anë të Guerreros. Minutat e mbetur dhe ato shtesë nuk sjellin gola të tjerë dhe gjithçka do të mbyllet me fitoren e Perusë me shifrat 2-0.

Sicred