KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Grupi B, dyshja iberike Spanjë Portugali kualifikim midis drithërimash
Grupi B, dyshja iberike Spanjë Portugali kualifikim midis drithërimash

Grupi B, dyshja iberike Spanjë Portugali kualifikim midis drithërimash

Pas grupit A, edhe grupi B i “Rusi 2018” ka dhënë verdiktet e tij duke kualifikuar për më tej dyshen iberike, Portgalinë dhe Spanjën, ndërsa Irani dhe Maroku e mbyllën këtu rrugëtimin e tyre në këtë Botëror.
Por nuk ka qenë një mbrëmje e lehtë për dy gjigandët e futbollit evropian dhe atij botëror, pasi spanjollët i janë falur Sistemit të Ndihmëgjyqtarit të Videos për t’i mohuar Marokut një fitore historike, ndërsa Portugalia është ndalur gjithashtu në një barazim, por me shifrat 1-1.
Marokenët e kanë shtangur Spanjën në minutën e 14-të, kur Butaibi rrëmben një top në mesfushë dhe finalizon me sukses.
Por spanjollët kundërpërgjigjen 5 minuta më pas, kur depërtimi i bukur i Andres Injestës i jep mundësi Iskos të shënojë pa shumë vështirësi.
Pjesa e parë do të mbyllet në barazim 1-1, por, në 9 minutat e fundit të pjesës së dytë, Maroku do ta shtangë sërish Spanjën, duke shënuar me anë të En Nesirit.
Minutat shtesë janë dramatike, por spanjollët do të gjejnë edhe një gol, që do të çmohet i vlefshëm, por në mënyrë kontradiktore nga sistemi VAR.
Përtej tensionit dhe 4 minutave shtesë, Spanja ndahet në barazim 2-2 me Marokun, por pika e marrë dhe golaverazhi më i mirë i jep kualifikimin si skuadra që mban vendin e parë në grup.
Ndërkaq, në takimin tjetër të grupit, Portugalia ka vetëm veten për të fajësuar për renditjen në vendin e dytë, pasi shkoi dëm epërsinë, por edhe një 11-metërsh, duke u detyruar të kënaqet me një barazim 1-1 me Iranin. Portugezët do ta gjejnë golin të parët, në minutën e fundit të pjesës së parë, me anë të Kuarezmës
Pjesa e dytë do të sjellë edhe një mundësi të artë për Portugalinë për të dyfishuar shifrat, por Kristiano Ronaldo do të shpërdorojë në minutën e 53-të rastin për të shënuar golin e tij të 5-të në këtë Botëror, duke gabuar nga pika e bardhë.
Irani nuk jepet dhe arrin të barazojë rezultatin në minutën e fundit, por është shumë pak dhe shumë vonë për aziatikët.
Kështu, Botërori ka njohur edhe dy çiftet e para të 16-shes, pasi Spanja do të përballet me Rusinë, ndërsa Portugalia me Uruguain.