KRYEFAQJA » LAJME » Greqi, zjarret mund të jenë shkaktuar qëllimisht
Greqi, debate mbi përgjegjësinë e shpërthimit të zjarreve

Greqi, zjarret mund të jenë shkaktuar qëllimisht

Zjarret janë një problem që ndodh rëndom gjatë muajve të nxehtë dhe të thatë të verës në Atika, por zyrtarët grekë kanë sugjeruar së fundmi se flakët aktuale mund të jenë shkaktuar nga zjarrëvënës të cilët kanë dashur të grabisin shtëpitë e braktisura. Pesëmbëdhejtë zjarret filluan njëkohësisht në tre fronte të ndryshme në Athinë, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë. Kemi kërkuar drone nga SHBA-të për të zbuluar çdo aktivitet të dyshimtë, shtoi ai. Ndërkohë, policia bëri të ditur se janë arrestuar katër persona që dyshohen për grabitje në zonën e Neos Vutcas, i cili u shkatërrua nga zjarri. Të dyshuarit, të grupmoshës nga 22 deri në 26 vjec, u arrestuan pasi kishin hyrë në një shtëpi e cila u braktis gjatë ferrit vdekjeprurës.
Në një fjalim televiziv, ditën e djeshme, kryeministri Aleksis Cipras shpalli tre ditë zie kombëtare, si dhe theksoi se arsyet për tragjedinë dhe përgjegjësit e mundshëm, do të hetoheshin kur të ishte koha e duhur. Liderët e opozitës gjithashtu u shprehën se tashmë nuk është koha për t’ia hedhur fajin ndokujt, ndërkohë që kreu i Demokracisë së Re Kiriakos Micotakis, u shpreh se prioritet kishin bashkimi dhe solidariteti.
Ndërkohë prokurorja e gjykatës supreme të vendit urdhëroi fillimin e një hetimi për shkaqet e flakëve, mes indikacioneve se përgjigja shtetërore ndaj emergjencës ka qenë e ngadaltë dhe se nuk ka patur një plan evakuimi të caktuar për një situatë të tillë. Megjithatë, gazeta Ekathemerini shkruan se pas tragjedisë përgjigja pas vdekjeve të shënuara ishte e shpejtë dhe eficente.
Autoritetet bashkiake bashkuan forcat me organizatat joqeveritare dhe vullnetarët për të mbledhur furnizime për qindra persona që kanë ngelur pa shtëpi, ndërkohë që kryqi i kuq helen ka hapur llogari bankare për donacione. Mediat sociale janë mbushur me kërkesa për ushqime, veshbmbathje dhe ilaçe për të mbijetuarit. Autoritetet shëndetësore të vendit kanë apeluar për gjak dhe përbërës të gjakut për të ndihmuar viktimat e djegura në spitalet e Atikës. Apeli i tyre mori përgjigje e shpejtë dhe efektive të qytetarëve. Ndërkohë, tragjedia ka rindezur debatin për praktikën e ndërtimeve të paligjshme pranë pyjeve dhe përgjatë vijës detare.

Sicred