KRYEFAQJA » LAJME » Greqi, debate mbi përgjegjësinë e shpërthimit të zjarreve

Greqi, debate mbi përgjegjësinë e shpërthimit të zjarreve

Në Greqi vazhdojnë debatet politike në lidhje me zjarret që shkatërruan rajonin e Atikës dhe morën disa dhjetëra jetë.
Opozita konservatore ka hedhur sërish akuza ndaj kryeministrit Tsipras, i cili pak ditë më parë mori përsipër përgjegjësi të plotë politike. “Pyes veten se si i zë gjumi këta njerëz dhe se si vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë”, ka deklaruar kryetari i partisë Demokracia e Re, Qiriakos Micotaqis. Ai ka theksuar se përgjegjësia politike duhet të shoqërohet me një veprim dhe dorëheqja është akti i parë në këto rrethana. Për kreun e opozitës, edhe zyrtarët për menaxhimin e emergjencave dhe ministri i Brendshëm duhet të japin dorëheqjen nga posti.
Nga ana tjetër, zyra e kryeministrit Tsipras ka akuzuar opozitën se po e përdor tragjedinë e zjarreve për qëllime politike.“Jetët e njerëzve nuk mund të shfrytëzohen për qëllime të tilla”, thuhet në një deklarate për shtyp. Pak më vonë një reagim ka ardhur edhe nga zëdhënësi i Tsiprasit, i cili ka deklaruar se kritikat janë të pranueshme, por ato nuk duhet të deformohen nga media dhe politika. Zëdhënësi ka nënvizuar se kryeministri është i vendosur për të vijuar me planin e tij për prishjen e ndërtimeve abuzive në zonat bregdetare, që sipas tij janë mbi 3 mijë. Tsipras ka paralajmëruar një hetim gjithëpërfshirës për të zbuluar se si disa qindra njerëz u lanë të bllokuar mes flakëve. Ai gjithashtu ka premtuar një sërë ndryshimesh, përfshirë këtu aksionin kundër ndërtimeve pa leje, që thuhet se bllokuan shtigjet që banorët të shkonin drejt detit.

Sicred