KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Grayson Perry, artisti që na tregon si jetojnë britanikët

Grayson Perry, artisti që na tregon si jetojnë britanikët

Si e perceptojnë britanikët konceptin e shijes dhe klasit?! Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje na vjen në ndihmë një prej artistëve me emblematike të skenës së artit britanik e pikërisht Grayson Perry.
Përmes ekspozitës “Kotësia e Dallimeve të Vogla”, artisti britanik na sjell me teknikën e tapicerisë klasat shoqërore britanike, objektet dhe sjelljet përcaktuese të tyre me një sarkazëm sa therrëse dhe idilike.
Grayson Perry, përmes jetës dhe vdekjes së personazhit imagjinar Tim Rakewell vizaton një udhëtim nëpërmjet klasave sociale të ndërthurur në 6 tapiceri, të cilat janë të pasura në detaje, ngjyrë dhe personazhe.
Kuratori i kësaj ekspozite Rubens Shima evidenton disa prej veçantive të këtij artisti.
“Veç kulturës apo pop artit që ndihen në tapiceri, veç mrekullisë që krijon, zeja e bukur e vjetër, e thirrur nga kohet e shkuara që është endja, vepra e tij është e mbushur plot me një lloj sarkazme therrëse, sepse ai shpesh herë ve në dukje ato gjëra që janë kthyer në logo të identitetit britanik” tha zoti Shima.
Grayson Perry përdor mjetet tradicionale si tapiceria, qeramika dhe grafikat për të shqyrtuar joshjen e tij me problemet bashkëkohore sociale. Një nga artistët me profilin më të lartë Britanik, në 2003 Perry fitoi “Turner Prize”, një nga çmimet më prestigjioze bashkëkohore në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo ekspozitë përmban gjashtë tapiceri, 8 gravura origjinale të punës së William Hogarth, 20 riprodhime dhe 3 dokumentarë të krijuar nga udhëtimet e Perry-t në 3 rajone në Angli ku ai u frymëzua për ekspozitën.
Tirana është qyteti i fundit në Ballkanin Perëndimor pritës i ekspozitës. Më parë, ekspozita u çel në Novi Sad, Prishtinë, Sarajevë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 dhjetor në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe mundësohet nga British Council.

Sicred