KRYEFAQJA » LAJME » Grabitja e parave, ministri Tahiri dhe guvernatori Sejko diskutojnë masat e përbashkëta
Grabitja e parave, ministri Tahiri dhe guvernatori Sejko diskutojnë masat e përbashkëta

Grabitja e parave, ministri Tahiri dhe guvernatori Sejko diskutojnë masat e përbashkëta

Në Tiranë autoritetet e Ministrisë së Brendshme dhe Bankës së Shqipërisë, kanë diskutuar rritjen e masave të sigurisë në transportin e parave, pas ngjarjeve të përsëritura ku sasi të konsiderueshme valute janë bërë pre e grabitjeve të armatosura. Ministri Sailir Tahiri dhe guvernatori Gent Sejko janë takuar pasditen e së premtes në Tiranë. “Kemi dakordësuar disa masa, të cilat do ta bëjnë më të sigurtë biznesin, aktivitetin financiar dhe transportin e parave nga bankat” tha me ketë rast ministri Tahiri. “Policia ka nisur inspektimin e të gjitha policive private, dhe nga ana tjetër po implementojmë një sërë masash që kanë të bëjnë me forcimin e burimeve njerëzore. Jam në fazën që po shoh aktet nënligjore dhe shumë shpejt do firmos një urdhër që do adresojë shumë më mirë masat shtesë për transportimin e parave. Kemi dakordësuar me bankat ngritjen e një grupi që do diskutoje ngritjen e çështjeve nga pikëpamja e sigurisë dhe do dalim me masa konkrete” shtoi zoti Tahiri.
Guvernatori Sejko ka deklaruar pas disa grabitjeve në shuma të konsiderueshme se sistemi bankar dhe ai financiar është në gjendje shumë të mirë. “Do përgatisim një plan masash të detajuar për të përforcuar të gjithë elementët e sigurisë në të ardhmen në mënyrë që mos kemi më ngjarje të tilla. Shoqata e bankave, sistemi bankar, drejtorët ishin të mirëkuptuar dhe janë të gatshëm të marrin masat dhe në ditët në vijim ne do të përmbyllim këtë plan masash, i cili do të bëjë të mundur parandalimin e vjedhjeve të tjera të vlerave. Vjedhjet në transport janë në qendër, në fokus pasi sistemi bankar ka marrë mjaft masa për të forcuar sigurinë në ambientet e brendshme” tha guvernatori i përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.
Historia e grabitjeve të bujshme bankare nis nga 12 shkurti 2015, kur te kthesa Laknasit, në aksin rrugor Qafa e Kasharit-Rinas u grabitën 3 milionë euro që po transportoheshin nga nje banke e nivelit te dyte drejt aeroportit “Nënë Tereza”. Ndoshta për rastësi edhe katër grabitjet e tjera kanë ndodhur ditët e enjte, me shuma nga 2-3 milionë euro. Sipas përllogaritjeve grabitësit kanë marrë në këto ngjarje të paktën 10 milionë euro. Policia ende nuk ka arritur të zbulojë në asnjë rast autorët.

Sicred