KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ku po shkon euro?

Ku po shkon euro?

Goditet e fuqishme, afatgjata dhe të pandërprera të kursit të këmbimit të lekut me euron po dëmtojnë pothuajse çdokënd në Shqipëri. Bizneset eksportuese po humbasin fitimet vjetore, individët e kredituar në euro po i gëzohen euros së lirë, qeveria do të duhet të rishikojë buxhetin për të minimizuar humbet, banka qëndrore mat vetëm inflacionin, pa mundur të ndikojë! Ku po shkon euro?
Një vit më parë, në një takim ndërkombëtar, Guvenratori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko do të deklaronte: “Luhatjet afatshkurtra të kursit të këmbimit janë normale në një regjim plotësisht të lirë të kursit. Reagimi i bankave qendrore duhet të varet nga ndikimi i tyre në inflacion, që në vetvete varet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e kësaj luhatjeje. Sa më e madhe kohëzgjatja dhe sa më i lartë intensiteti i goditjeve, aq më i madh do të ishte ndikimi në inflacion, aq më i madh rreziku i ndryshimeve të shpejta në pritjet e inflacionit, dhe aq më e lartë nevoja për reagim sistematik të politikës monetare.”
Në fakt , Banka e Shqipërisë mbron tezën se regjimi i kursit të këmbimit është i lirë dhe se niveli i kursit nuk është objektiv i saj. Ndërhyrja në muajt e verës u përshkrua si e “përkohshme dhe e jashtëzakonshme”. Banka blen dhe shet euro, me një mesatare vjetore rreth 5,5 miliardë euro. Në vitet e fundit janë vendosur rekorde historike, sidomos në 2018, kur për një tremujor u blenë 2 miliardë euro. Po euro nuk e ndali tatëpjetën në raport me monedhën shqiptare.
Askush sot nuk mund të tregojë një terapi për t’u mbrojtjur nga kursi i këmbimit. Ekonomia shqiptare nuk ofron asgjë për të shpjeguar greminën e Euros. Statistikat e Bankës tregojnë se në katër vitet e fundit ka pasur një rritje rekord të parasë në qarkullim jashtë bankave, çfarë ka sjellë dhe mbiçmimin e monedhës vendase në tregun e këmbimit. Duket se në tregun monetar shqiptar, euro ka hyrë në një trend rënës afatgjatë.
Cilët janë humbësit e mëdhenj? Banka e Shqipërisë humbet qindra milionë euro nga zhvlerësimi i rezervave të saj në valutë. Qeveria Shqiptare humbet të ardhura në buxhet, por përfiton një çmim më të lirë të borxhit publik, duke paguar më pak interesa. Eksportuesit, ku kryesorët janë fasonistët, janë zhutur në humbje qindramilionë euroshe, sepse të ardhurat e këtyre ndërmarrjeve janë në euro dhe shpenzimet janë në lekë.
Ku do të ndalet kursi i këmbimit? Këtë nuk di ta thotë asnjë. Aktorët e tregut financiar po ashtu mjaftohen të thonë se kursi i këmbimit është variabli më i paparashikueshëm.
Radio Televizioni Shqiptar ka mësuar se kategori të bizneseve që preken direkt nga luhatjet e kursit të këmbimit do t’i drejtohen qeverisë, në ditët në vijim, me kërkesa të forta për të zbutur efektet e luhatjes së kursit të këmbimit, duke kërkuar të bëhen politika apo të ndërmerren masa indirekte për kompensime të ndryshme monetare, apo fiskale.

Sicred