KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Goditja e re për Call Center-at në Shqipëri

Goditja e re për Call Center-at në Shqipëri

Italia po ju shkon deri në fund masave shtrënguese që synojnë të rikthejnë brenda vendit industrinë e call centera-ve. Por fatkeqësisht ato po rrezikojnë një nga sektorët më me peshë për sa i përket punësimit në Shqipëri.

Pas masave ligjore të parlamentit italian që u fuqizuan në 1 Prill, 13 kompani të mëdha kanë firmosur një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian Paolo Gentiloni dhe ministrin e zhvillimit ekonomik Carlo Calenda, i cili parashikon që 95 përqind e aktiviteteve që kryhen të kalojnë në Itali brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi dhe të gjitha kontratat e reja 80 përqind të aktivitetit të tyre ta kryejnë në territorin italian.

Kjo është goditja e dytë brenda një muaji që po i vjen nga Italia industrisë së call center-ave në Shqipëri, aktiviteti i të cilës është ngushtësisht i lidhur me kontratat që u sjellin operatorët italiane.  Fillimisht me hyrjen në fuqi të ligjit italian u mbyllen 30 kompani call center në Shqipëri, ndërsa pas nënshkrimit të këtij protokolli, përfaqësuesit e kësaj industrie në Shqipëri janë të shqetësuar se çfarë pritet të ndodh me kontraktorët e tyre.  5 nga 13 kompanitë që kanë nënshkruar protokollin kanë kontrata shërbimi tek operatorët call center në Shqipëri.

Vitet e fundit industria e call center e ka rritur ndjeshëm peshën e saj në ekonominë shqiptare, veçanërisht në fushën e punësimit . Vetëm vitin që shkoi të ardhurat nga kompanitë u rriten me 40 përqind, ndërsa numri i të punësuarve vlerësohet mbi 25 mijë vetë. Por pavarësisht kësaj peshe, edhe këtyre zhvillimeve, asnjë nga ministritë përgjegjëse për këtë industri në Shqipëri nuk kanë formuluar një qëndrim lidhur me çështjen.