KRYEFAQJA » LAJME » Gjylameti: Basha duhet të japë shpegime në prokurori

Gjylameti: Basha duhet të japë shpegime në prokurori

Kreu i PD Lulzim Basha duhet të japë shpegime në prokurori në lidhje me lobimin e dyshimitë në SHBA. PS vijon të kërkojë zbardhjen e origjinës së parave me të cilat u pagua kompania me pronarë ruse, që loboi për një foto të kreut të opozitës me presidentin Tramp.
Në një tjetër dalje me mediat nga selia e partisë qeverisëse, deputetja Blerina Gjylameti, ripërsëriti pyetjet për të cilat pritet një shpjegim nga zoti Basha. “Prokuroria duhet të marrë në pyetje Lulzim Bashën, sepse vetëm kështu mund të zbardhet kjo aferë, që nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me mbi gjysmë milionë dollarë që askush s’i del për zot se nga kanë ardhur, por ka të bëjë dhe me ndikimet e vendeve të huaja në interesat e Shqipërisë, gjë që e kemi parë të ndodhë rëndom në vendet fqinje, por që deri më sot mendonim se nuk kishin prekur vendin tonë” tha zonja Gjylameti.
Deputetja e mazhorancës, fton prokurorinë të bashkëpunojë me të gjitha agjencite hetimore dhe ligjzbatuese edhe të vendeve partnere, për të hedhur dritë mbi fondet dhe financimin që e konsiderojnë të dyshimtë. “Rruga e heshtjes, përpara këtij pirgu me prova kompromentuese, vetëm sa rrit dyshimet se Partia Demokratike është në fakt një avanpost i ndikimeve të huaja, që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesat dhe aspiratat perëndimore të Shqipërisë e të gjithë popullit shqiptar. Lulzim Basha nuk mund t’i shpëtojë këtij skandali duke u fshehur, ashtu siç i ka shpëtuar hetimeve për Rrugën e Kombit apo 21 janarin. Sot e vërteta duhet të dalë në shesh. Ky është një detyrim moral dhe ligjor që PD ka përpara shqiptarëve, përpara historisë së saj si partia që solli pluralizmin në Shqipëri, përpara Bashkimit Europian, përpara Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s” tha deputetja socialiste Gjylameti.
PS çdo ditë në komunikime të posaçme me median kërkon nga PD dhe Lulzim Basha të japin sqarime në lidhje me burimet e financimit, por edhe të sqarojë pozicionin në lidhje me financuesit ruse të lobimit në SHBA.

Sicred