KRYEFAQJA » LAJME » Gjykatësi Kushtetues Gani Dizdari para vetingut

Gjykatësi Kushtetues Gani Dizdari para vetingut

Gani Dizdari është i fundit gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese që kalon në provën e Vettingut. Vetë Dizdari nuk ka qenë i pranishëm në seancë dëgjimore, por është përfaqësuar nga avokati i tij, Sokol Hazizaj, përballë trupës gjykuese që përbëhej nga Pamela Qirko, Roland Ilia dhe Olsi Komici.

Sipas deklaratave të pasurisë, Dizdari zotëron 75% të një apartamenti me sipërfaqe 95.7 m2, burimi privatizim i banesave shtetërore; një apartament në Gjirin e Lalzit, 86.6 m2, të blerë në 2013-tën; tokë arë në Mjull Bathore, 1 mijë m2; apartament 69.7 m2 blerë në 1998 nga ish-bashkëshortja e tij por pa deklaruar burimin e të ardhurave me të cilat është blerë. KPK relaton gjithashtu se nuk është deklaruar një shumë e dhuruar për kurimin e tij në Gjermani.

Por problemet për gjyqtarin Dizdari vijnë nga pasuria e vajzës së tij. Ajo ka deklaruar një apartament, por për të cilin nuk përputhen sipërfaqet e deklaruara ndër vite dhe as cmimi i blerjes me sipërfaqen. Si burim të ardhurash për blerjen e tij, ajo ka deklaruar disa hua, por pas hetimeve të thelluara të KPK rezulton se personat e përmendur nga vajza nuk kanë patur mundësi financiare për t’i dhënë asaj hua prej 20 mijë eurosh dhe 36 mijë eurosh. Dizdari gjithashtu rezulton të ketë lidhje të papërshtatshme me shtetasin me inicialet A.L., i dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, rryshfet dhe korrupsion. Lidhur me këtë, avokati Hazizaj ka sqaruar se shtetasi i dënuar është djali i motrës së gjyqtarit.

Teksa vendimi për gjyqtarin e Kushtetueses Gani Dizdari do të jepet ditën e hënë më 16 Korrik, vettingu deri më tani ka rrëzuar tre gjyqtarë kushtetues, Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha, teksa Besnik Imeraj ka dhënë dorëheqjen më parë. Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja deri më tani janë të vetmit që kanë kaluar me sukses këtë provë.

Sicred