KRYEFAQJA » LAJME » Gjykatësi kushtetues Gani Dizdari nuk kalon vettingun

Gjykatësi kushtetues Gani Dizdari nuk kalon vettingun

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Gani Dizdari, nuk ka arritur të kalojë provën e tre-fishtë të vettingut. Vendimi është dhënë sot nga trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që e ka cilësuar Dizdarin si të papërshtatshëm për të vijuar ushtrimin e detyrës. Seanca dëgjimore për të u zhvillua të enjten e një jave më parë, ku ka qenë i pranishëm edhe vetë Dizdari. Gjyqtari i Kushtetueses rezultoi me probleme në deklaratat e pasurisë por edhe me kontakte me persona të dënuar. Me probleme në pasuri rezultoi vajza e Dizdarit e cila kishte bërë ndër vite deklarime të ndryshme të pasurisë e pronave të saj. Dizdari gjithashtu rezulton të ketë lidhje të papërshtatshme me shtetasin me inicialet A.L., i dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, rryshfet dhe korrupsion. Lidhur me këtë, avokati Sokol Hazizaj ka sqaruar se shtetasi i dënuar është djali i motrës së gjyqtarit. Gani Dizdari ishte i fundit i Gjykatës Kushtetuese që testohej nga vettingu por që nuk ka arritur ta kalojë këtë provë. Tashmë Kushtetuesja mbetet vetëm me dy anëtarë pasi më herët KPK ka shkarkuar edhe tre gjyqtarë të tjerë të saj: Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha, teksa Besnik Imeraj ka dhënë dorëheqjen më parë. Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja janë të vetmit që kanë kaluar me sukses këtë provë.

Sicred