KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Mashtronin me TVSH, “arrest me burg” për dy ish-drejtues të lartë të “Kurum International”

Mashtronin me TVSH, “arrest me burg” për dy ish-drejtues të lartë të “Kurum International”

Me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy ish-drejtues të lartë të kompanisë “Kurum International”. Ata dyshohet se kanë krijuar një skemë mashtruese me rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), me dëm ekonomik ndaj shtetit shqiptar në vlerën rreth 1.5 milionë dollarë.
Dyshohet se dy shtetasit turq, ish-administratori i kompanisë “Kurum”, Koray Zeytinoglu dhe ish-Drejtori i Skrapit, Yucel Aksu, nëpërmjet faturave fiktive, kanë deklaruar se kanë kryer aktivitet shit-blerje në vitin 2011 me disa kompani të tjera, të regjistruara në qytetin e Laçit. Prokuroria kërkoi masën e “arrest me burg” për këta dy shtetas, e cila u pranua nga ana e gjykatës.
Mbrëmjen e së mërkurës është bërë e mundur ekzekutimi i masës nga ana e policisë për ish-administratorin e Kurum, Koray Zeytinoglu, ndërkohë që është shpallur në kërkim ish-Drejtori i Skrapit, Yucel Aksu, i cili rezulton të jetë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë.
Fillimisht, hetimi nisi nga Prokuroria e Kurbinit, e cila kishte regjistruar procedimin penal për “Fallsifikim të vulave e stampave”; “Mashtrimi” dhe “Pastrimi i produkteve penale” për 4 kompani që kishin të deklaruar si vend ushtrimi aktiviteti për mbledhjen e përpunimin e skrapit në qytetin e Laçit. Këto kompani ishin “Kurbini” shpk; “Erad&XHT”; “R&B2011” dhe “Kavaja Co”. Ato shërbenin si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm të ish-drejtuesve të kompanisë “Kurum International”, e cila ushtronte aktivitetin në qytetin e Elbasanit.

Sicred